Nga Boldnews.al
Monologu i fundit i Edi Ramës nga salla e tranzitit në Rinas nuk solli asgjë të re në thelbin e tij politik, por vulosi përfundimisht një doktrinë të rrezikshme: shndërrimin e dështimeve dhe skandaleve më të rënda shtetërore në propagandë për suksesin e reformës në drejtësi.
Sa herë që SPAK-u guxon të prekë bërthamën e rrethit të tij të ngushtë, kryeministri aktivizon skenarin e tij të preferuar lan duart si Ponc Pilati me slloganin “përgjegjësia është individuale” dhe e shet kalbëzimin e pushtetit të tij si “sukses të sistemit”.
Në çdo vend tjetër normal dhe demokratik, vendosja nën arrest shtëpiak e shefes së inteligjencës kombëtare (Vlora Hyseni) për rrjedhje të informacioneve sekrete dhe lidhje të dyshimta me rrjetet e hakerave dhe krimit do të shkaktonte një krizë të thellë qeveritare. Do të kërkohej dorëheqja e menjëhershme e titullarit që e përzgjodhi me dorën e tij dhe e emëroi në krye të institucionit më delikat të sigurisë kombëtare.
Por në Shqipërinë e Edi Ramës, kjo ngjarje tragjike për sigurinë e shtetit përdoret si alibi mediatike. Nga aeroporti, pa asnjë skuqje apo reflektim moral, ai deklaroi se “korrupsioni nuk po rritet, po goditet”, duke u përpjekur politikisht të na mbushë mendjen se ky pastrim radikal po ndodh vetëm sepse ai vetë e lejoi.
Megjithatë, kjo taktikë mbrojtëse ka pësuar një metamorfozë të pastër që zbulon frikën e vërtetë të kryeministrit përballë zullumeve që ka kryer kundër vendit dhe popullit të tij.
E nisi me Saimir Tahirin në 2017 duke u bërë mburojë me kartonë. Rama përdori pushtetin absolut të kartonëve në Parlament për të bllokuar kërkesën e prokurorisë për arrestim, duke e quajtur dosjen “fletërrufe”. Vetëm pasi e izoloi politikisht, pranoi t’ia dorëzonte drejtësisë.
Ndërkohë në rastin e ish-zvkryeministrit Arben Ahmetaj aplikoi formulën e re lëshimin pa kushte. Ai zgjodhi distancimin total dhe cinik (“ky det nuk kalohet pa u lagur”), ndërsa sot nga arratia e sulmon duke e quajtur një “maskë karnavalesh”.
Erion Veliaj dhe Belinda Balluku dyshja e vërtet me pushtet absolut pas Ramës u mbrojt prej tij duke i shpallur luftë të hapur SPAK-it. Kur hetimet goditën dy shtyllat e vërteta të pushtetit dhe të financave të tij, Rama hodhi tej maskën e mbështetësit të reformës. Arrestimin e Veliajt e quajti antikushtetues, ndërsa tentativën për pezullimin e Ballukut e cilësoi si një “turravrap të pakuptueshëm” ku prokurorët dhe gjyqtarët u bënë bashkë për të sfiduar kryeministrin.
Njësoj si me dy beniaminët e tij të korruptuar veproi dhe për Vlora Hysenin.
Sulmi ndaj GJKKO-së nën alibinë e shtetit: Në rastin e fundit, Rama pranoi me nxitim shkarkimin e saj, por nuk nguroi të sulmonte hapur SPAK-un dhe GJKKO-në duke e quajtur masën “ekstreme”. Ai tentoi të zhvendoste fajin, duke pretenduar se ekspozimi i dosjes dëmton sekretet e shtetit.
Opozita në Gjumë dhe Heshtja e Ndërkombëtarëve
Kjo lojë e trashë propagandistike funksionon vetëm për dy arsye madhore. E para është anemia e skajshme e një opozite që nuk po di apo nuk po mundet ta kthejë këtë degradim të shtetit në një kauzë të madhe popullore. Teksa kryeministri mban monologë agresivë nga Rinasi, reagimi i selisë blu mbetet brenda kornizave të konferencave sterile për shtyp, pa arritur të kapitalizojë politikisht as rënien e shërbimit sekret.
Arsyeja e dytë është heshtja bashkëfajëtore e ndërkombëtarëve. Ambasadat në Tiranë, që dikur reagonin për çdo lloj detaji, sot mbyllin sytë përpara faktit se zyrtarët më të lartë të sigurisë dhe qeverisjes po bie njëri pas tjetrit nën akuza të rënda. Për ta, “stabiliteti” i rremë i fasadës së Edi Ramës vlen më shumë se pastërtia e institucioneve të shtetit shqiptar.
Sidoqoftë edhe pse me një oppzitë anemike ose pa opozitë fare dhe me disa ambasador dordoleca të kapur prej tij Edi Rama duket i mbaruar kur e dëgjon dhe shikon të monologojë me veten.
Ajo që ra në sy në këtë dalje të fundit nuk ishte thjesht arrogance, por rënia e vetë mitit të tij. Koha e liderit karizmatik që magjepste turmat me batuta dhe e kontrollonte narrativën me një lëvizje të vetme ka perënduar. Sot, përpara kamerave në Rinas, u shfaq një Edi Ramë i zakonshëm, i lodhur, i plakur dhe i rrudhur nën peshën e skandaleve që po i plasin përditë në duar.
Fjalët e tij nuk kanë më as forcën e dikurshme dhe as shkëlqimin e propagandës. Ky monolog nuk bind më askënd, e mbi të gjitha, nuk bind më as të vetët brenda Partisë Socialiste, të cilët e shohin kryetarin e tyre jo më si një mburojë të pathyeshme, por si një lider të konsumuar që thjesht po blen kohë në një anije që ka marrë ujë nga të gjitha anët.
Teatri i Rinasit tregoi se sa më shumë që laku i hetimeve i afrohet bërthamës së tij administrative, aq më shumë zbehet sllogani i dikurshëm “drejtësia mbi të gjitha”. Përballë degradimit të institucioneve, ku shërbimi sekret furnizonte me sekrete krimin e organizuar, kryeministri zgjedh të thotë se “Shqipëria nuk kthehet pas”. E vërteta është se pas çdo monologu propagandistik të tillë, shteti i tij thjesht ka rënë një kat më poshtë, ndërsa vetë ai po zbret me shpejtësi shkallët e fundit të perëndimit të tij politik.












