Koncerti i Kanye West, ministri Gonxhja: Përfituam mbi 6 milionë euro në arkën e shtetit
Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka folur për efektin ekonomik të koncertit të Kanye West në Shqipëri, duke deklaruar se shpenzimi prej 4.2 milionë eurosh u shoqërua me mbi 6 milionë euro të ardhura në arkën e shtetit vetëm nga taksat direkte.
I pyetur në emisionin “E-Zone” nga gazetarja Rajmonda Lajthia nëse investimi publik për eventin e kishte justifikuar veten përmes aktivitetit ekonomik të krijuar gjatë ditëve të koncertit, Gonxhja tha se financimi ishte ligjor dhe se efekti ekonomik ishte i matshëm.
“Unë e ritheksoj se ai investim ishte ligjor, por mund të ishte i shmangshëm nëse nuk do të kishim një situatë jo për dëshirën tonë. Megjithatë, ka raste kur shteti apo bashkia ndërhyjnë me fonde publike për të shpëtuar një event të rëndësishëm. Evente të tilla organizohen edhe në Stamboll apo vende të tjera, ku investohet për të tërhequr turistë dhe për të promovuar imazhin e vendit”, tha ministri.
Sipas Gonxhes, vetëm taksat e gjeneruara nga qarkullimi ekonomik gjatë eventit kanë tejkaluar shumën e investuar.
“Vetëm në këtë rast, nga 4.2 milionë eurot e shpenzuara, vetëm taksat direkte nga qarkullimi i xhiros, hotele, transport, gastronomi, blerje e të tjerë, kanë lënë në arkat e shtetit mbi 6 milionë euro”, deklaroi ai.
I pyetur nëse, në këto kushte, shteti kishte dalë me fitim nga organizimi i eventit, Gonxhja u përgjigj:
“Po, për 4-5 ditë pas atij shpenzimi, paratë u rikthyen në arkat e shtetit. Eventet e mëdha, si në Madrid apo Silverstone, lëvizin qindra mijëra njerëz dhe i japin hov ekonomisë.”
Ministri e lidhi këtë eksperiencë edhe me planin për reformimin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, duke thënë se eventet e mëdha dhe industria kreative do të jenë një prej drejtimeve ku do të fokusohet institucioni.
/vizionplus.tv




