“Turisti argëton veten, ne nuk kemi çfarë t’i ofrojmë”
Sezoni turistik 2026 po mbyllet me një numër më të lartë turistësh, 9.4 milionë në 8-mujor, nga 12.5 që shënoi gjithë viti 2025, por edhe më shumë netë qëndrimi. Por, pas shifrave pozitive, turizmi shqiptar këtë vit la edhe disa pikëpyetje. A ishte për bizneset e fushës 2026-ta një sezon i mirë apo një sezon në vendnumëro?
“Në përgjithësi, sezoni ka qenë i mbarë dhe me shifra në rritje, por vulën do ta vërë Banka e Shqipërisë me shpenzimet që kanë kryer turistët përgjatë gjithë vitit. Nëse shifra do të kalojë mbi 5.5 miliardë lekë, atëherë mund të themi se ishte i suksesshëm. Por e veçanta e këtij sezoni ishte fakti se pati një rritje të numrit të turistëve në apartamentet me qira. Edhe këtë vit, raporti çmim-cilësi vijon të sfidojë turizmin vendas” – pohoi Rraman Kasa nga Unioni Turistik.
Refreni që nuk ndryshon asnjë vit mbetet problemi me trafikun, rrugët, parkimet, transportin publik dhe infrastrukturën në destinacionet turistike.
“Ka site turistike që nuk vizitohen sepse nuk ka rrugë. Pastërtia vijon të jetë një shqetësim permanent. Ka përmirësime, por sërish është problem i pazgjidhur që ndikon negativisht në imazhin e vendit‘, – thotë Shkëlqim Lamaj.
Sipas biznesit, protestat qytetare gjatë sezonit nuk duket se patën një ndikim të madh në flukset turistike. Por sfida më e madhe mbetet argëtimi i turistëve. Mungesa e eventeve të mëdha dhe e një kalendari të qëndrueshëm aktivitetesh turistike ngre pikëpyetje për atë se çfarë mund t’i ofrojë qyteti vizitorit përtej qendrës, restoranteve dhe jetës së natës. Një destinacion turistik si Shqipëria, që po konsolidohet vit pas viti, nuk konkurron vetëm me bukuritë natyrore.
“Çfarë mund të bëjë një turist më shumë se dy ditë në vendin tonë? Në Tiranë mjafton një ditë të shohë dy-tre pika turistike, më pas ikën drejt zonave malore apo bregdetare. Por ky lloj turisti që vjen për dy net më shumë na shton kostot. Një turist konsiderohet i “mirë” nëse qëndron më shumë se tre net në hotel. Me pak fjalë, turisti vjen dhe argëton veten, ne nuk kemi çfarë t’i ofrojmë dhe kjo situatë mbetet një tjetër sfidë e sezonit” – pohoi Arta Sino, operatore turistike në Tiranë.
Lajm i mirë është se tashmë kemi një larmi kombësish që vijnë dhe vizitojnë Shqipërinë, ku dominojnë turistët nga Europa. Por, ndërsa sezoni 2026 po mbyllet me shifra pozitive, një tjetër faktor po krijon pasiguri për industrinë: monedha europiane. Zhvlerësimi i vazhdueshëm i euros po prek të ardhurat e operatorëve turistikë që punojnë me klientelë të huaj. Për një industri që planifikon sezonin e ardhshëm muaj përpara, kursi i këmbimit është bërë një faktor që nuk mund të injorohet.
“Jemi në një pikë që nuk duhet ta anashkalojmë zhvlerësimin e euros. Sot po mbyllim kontrata për 2027 me një euro që është 91-92 lekë, po vitin tjetër kush na garanton se monedha europiane nuk do të ulet më tej? Ky zhvlerësim ndikon direkt në humbjet e fitimeve të biznesit. Për rrjedhojë, hyjmë në një cikël vicioz që, duke e parë në pesë vitet e fundit, është një humbje e konsiderueshme për bizneset” – thotë Xhimi Lamaj.
2026 mund të ketë qenë një tjetër vit rritjeje për turizmin. Por për operatorët, sfida e vërtetë tashmë është 2027. Sepse, pas një sezoni të mirë, industria nuk kërkon vetëm më shumë turistë. Kërkon më shumë siguri, më shumë infrastrukturë, çmime më konkurruese dhe një model turizmi që mund të qëndrojë në këmbë edhe kur avantazhi i çmimeve dhe kursit të këmbimit fillon të zbehet.
/vizionplus.tv




