Muriqi merr përgjegjësinë pas humbjes kundër Austrisë: Më falni, duhej të kisha shënuar
Kosova u mposht 3-1 nga Austria në Vjenë, ndërsa pas ndeshjes kapiteni Vedat Muriqi nuk i është shmangur përgjegjësisë.
Kapiteni dardan pranoi se rasti i humbur në fillim të takimit mund të kishte ndryshuar rrjedhën e sfidës.
“E dinim se do të përballeshim me një kundërshtar të fortë. Erdhën këtu mbi 15 mijë shqiptarë. Pata rastin në fillim të lojës, po të kisha shënuar ndoshta do të shkonte ndryshe. E marr përgjegjësinë e rastit, më vjen keq”, u shpreh Muriqi pas takimit.
Kapiteni i Kosovës pranoi gjithashtu se skuadra ishte befasuar nga mënyra se si Austria e qasja ndeshjen. Sipas tij, pritshmëria ishte që vendasit të ushtronin presion të lartë, por situata në fushë rezultoi ndryshe.
“Na erdhi si befasi, sepse pritëm që të bënin shumë presion, por na e lejuan ta mbanim topin. Nuk arritëm të bëjmë pasin final. Goli i dytë erdhi në një moment jo të mirë, por të ishte 1-0 pjesa e parë, ndoshta mund të ishte më ndryshe”, deklaroi sulmuesi.
Muriqi nuk e fshehu zhgënjimin për rezultatin, por kërkoi që skuadra të kthejë menjëherë vëmendjen te sfida e radhës.
“Siç e thashë, ju kërkoj falje si kapiten. Do të vazhdojmë të bëjmë të pamundurën për Kosovën dhe po shpresojmë në kualifikim. Kjo ndeshje mund të përcaktojë rrugëtimin. Fatkeqësisht kemi pak kohë, por do të japim maksimumin dhe shpresoj në fitore”, tha Muriqi.




