“Liri për çlirimtarët!” ishte thirrja që shoqëroi sot qindra qytetarë të Hasit, të mbledhur në sheshin e Krumës në një tubim në mbështetje të ish-pjesëtarëve dhe drejtuesve të UÇK-së që po përballen me procese gjyqësore në Hagë.
Me pankarta dhe flamuj, pjesëmarrësit shprehën mbështetjen e tyre për të akuzuarit dhe kërkuan drejtësi.
Tubimi u zhvillua pas zhvillimeve të fundit në proceset e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Organizatorët e cilësuan çështjen si të lidhur jo vetëm me individët që ndodhen në Hagë, por edhe me mënyrën se si vlerësohet lufta e UÇK-së.
Në aktivitet morën fjalën ish-deputeti Petro Koçi, gjenerali Kudusi Lama, i cili gjatë luftës në Kosovë drejtoi Divizionin e Kukësit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, si dhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Nasim Haradinaj.
Nga Kruma, organizatorët përcollën mesazhin e mbështetjes për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, duke kundërshtuar atë që ata e konsiderojnë si cenim të luftës dhe sakrificës së UÇK-së.
Tubimi riktheu në vëmendje solidaritetin e qytetarëve të Hasit me Kosovën dhe ish-pjesëtarët e UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.

