Algoritmi i deformuar i opinionit që shpalli dorëheqjen e Edi Ramës, nuk është se ndodhi vetëm sot.
Ka më shumë se një vit që sillet në opinionin e opozitës dhe të revolucionarëve proxy të flamingove. Teza e rrëzimit nuk është e re në fakt në politikën shqiptare, pasi është përdorur në të shkuarën si një version i shtyrë nga faktorë e aktorë, të cilët nuk janë vetëm brenda vendit.
Në të gjitha rastet, kjo tezë, përkatësisht sulmi nga lart i pushtetit politik, ka sjellë vetëm rezultate traumatike. Duke mos zgjedhur asnjë çështje politike, madje duke hapur plagë të tjera më të mëdha.
Sulmi që drejtësia po i bën qeverisë, duket hapur se nuk është një operacion linear, nuk është një akt procedurial, por thjesht një operacion i shënjestruar për të realizuar një qëllim politik.
Qëllim politik që fsheh brenda vetes edhe një qëllim politik tjetër, i cili duhet thënë është përfolur prej kohësh në opinion.
Sot, pas Edi Ramës, njeriu më me popullaritet në public është ish-kreu i SPAK. E zbritja e të cilit në politikë mund të shikohet nga disa faktorë e aktorë, si një mundësi për të bërë rotacionin e famshëm.
Por, politika nuk është një operacion rrufe, nuk është një masë sigurie apo një reality show ku fiton popullaritet brenda një nate.
Politika është një proces, ku fitorja dhe humbja ecin bashkë drejt një rruge me kthesa dhe të përpjeta. Politika edhe pse duket e thjeshtë, nuk krijohet nga lart, pasi vjen si një organizim i ndërlikuar në territor. Ka një model të njohur në këtë lëmi, që e kemi afër dhe është Italia.
Antonio di Pietro, prokurori i njohur i grupit të “Mani Pulite” kishte një objektiv, që të gjithë thonin se e ka obsesion. Të arrinte tek Benito Craxi, ish-kryeministri i Italisë dhe lideri i Partisë Socialiste Italiane.
Kjo ndodhi pasi arriti të arrestonte në paraburgim ajkën e industrisë italiane. Të cilët i kërkonte që të dëshmonin për rryshfetet e dhëna ndaj partive kryesore qeverisëse, posaçërisht ndaj Partisë Socialiste. Ajka e industrisë italiane u paraburgos në burgun famëkeq të Milanos San Vittore, ku ndodhën një numër i madh vetëvrasjes prej tyre. Gjë që shkaktoi një traumë të madhe në opinion dhe krijoi dilemat e para për Mani Pulite-n. Operacionet aggressive të Di Pietros prodhuan më pas edhe sulmet ndaj tij, ku u publikuan problemet që ai kishte pasur gjatë kohës që punonte në polici. i gjendur nën një sulm të fortë, Antonio Di Pietro u largua nga prokuroria dhe hyri në politikë.
Por popullariteti që kishte si prokuror, nuk u shpërblye në politike, ndaj dhe nuk ndenji shumë dhe u tërhoq. Kjo ka një arsye; pasi njerëzit mund të përkrahin një aksion, një ndërmarrje kur ajo duket se është e qartë, pa një prapavijë dhe qëllim dytësor.
Nuk ka asgjë që një njeri i i drejtësisë të hyjë në politikë, me reputacionin dhe bagazhin profesional; por aty duhet të bëjë gavetën nga e para./ TemA












Komente
Komento