Shirita të zinj dhe kokat ulur, çfarë ndodhi para fillimit të ndeshjes Irlandë – Izrael
Momente të veçanta u regjistruan para nisjes së përballjes mes Irlandës dhe Izraelit në Nations League, në një ndeshje që prej ditësh është shoqëruar me debate të shumta jashtë fushës.
Futbollistët e Republikës së Irlandës nuk morën pjesë në shtrëngimin tradicional të duarve me lojtarët izraelitë dhe nuk shkëmbyen flamujt ceremonialë, një vendim që ishte bërë i ditur paraprakisht nga Federata Irlandeze e Futbollit.
Gjatë ekzekutimit të himnit kombëtar të Izraelit, lojtarët irlandezë u panë gjithashtu me kokat të ulura, një moment që tërhoqi vëmendjen e kamerave dhe mediave.
Futbollistët irlandezë mbanin gjithashtu shirita të zinj në krah, në një gjest të lidhur me kujtimin e viktimave të konfliktit në Gaza.
Vendimet erdhën pas diskutimeve të gjata brenda kampit irlandez. Skuadra kishte votuar me një shumicë të konsiderueshme për të zhvilluar ndeshjen, ndërsa portieri Gavin Bazunu vendosi të tërhiqej nga grumbullimi për shkak të bindjeve të tij personale lidhur me konfliktin.
Përballja zhvillohet në Debrecen të Hungarisë, në një atmosferë të pazakontë, me sfidën sportive të shoqëruar nga mesazhe dhe qëndrime të forta jashtë fushës.




