Exclusive/ Nga dhoma e hotelit me Guardiolën te 15 vite si drejtor i Lazios dhe aventura te Milani, Igli Tare në një rrëfim ndryshe

27/09/2026 21:35

Exclusive nga Endi Tufa

IGLI TARE – TË SHKRUASH HISTORINË

Në vitin 2001, kur Igli Tare luante te Brescia, një kamera shqiptare ndoqi nga afër eksperiencën e tij në Serie A. Ishte një periudhë e veçantë. Tare luante në një skuadër ku ishin Roberto Baggio dhe Pep Guardiola, ndërsa trajner ishte Carlo Mazzone.

Intervistat e asaj kohe, bisedat me Taren, Baggion dhe tifozët shqiptarë të Breshias, nuk janë transmetuar pothuajse asnjëherë. 25 vite më pas, këto pamje rikthehen për herë të parë në një histori të vetme. Dhe ajo që e bën këtë material më interesante është se sot, në vitin 2026, Igli Tare mund të flasë për të njëjtën periudhë, por me përvojën e 25 viteve të karrierës së tij pas vetes.

Në atë kohë ishte futbollist, sot është një prej drejtuesve shqiptarë që ka kaluar në nivelet më të larta të futbollit italian.

Në vitin 2001, Tare mbërriti te Brescia pas eksperiencës në Gjermani. Kalimi në Serie A ishte një tjetër hap në karrierë dhe në Breshia ai u gjend menjëherë në një skuadër me emra të rëndësishëm të futbollit europian, por situata sportive nuk ishte e lehtë.

“E vështirë mund të them, e vështirë sepse situata nga ana sportive në ato momente ka qenë shumë e keqe dhe momentalisht ndodheshim në atë periudhë në vend të parafundit në kualifikim.”

Carlo Mazzone kërkonte të ndryshonte mënyrën e lojës dhe Tare u afrua pikërisht për këtë arsye.

“Kështu që, me ardhjen time, ose me blerjen time, ishte një zgjedhje taktike e Mazzones për të ndërruar mënyrën e lojës.”

Për një futbollist që vinte nga Bundesliga, koha për t’u përshtatur me Serie A ishte minimale.

“Dhe nuk kisha më asnjë lloj kohe për t’u ambientuar me këtë ambient, por duhet të jepja frutat që nga fillimi.”

Tare e bëri këtë, në sezonin e tij të parë në Serie A luajti 17 ndeshje dhe shënoi katër gola, por më e rëndësishmja ishte se Brescia arriti të qëndrojë në Serie A.

“Dhe Bresha arriti të mbijetojë, të qëndrojë në Serinë A, një kampionat më i vështirë i botës.”

Për Taren, ajo periudhë ishte një kombinim i punës dhe rrethanave sportive.

“Mund të themi me fat, por mund të themi edhe me punë, sepse arritëm të bënim diçka që Bresha nuk arrinte ta realizonte në 40 vjet të futbollit në historinë e Breshës, sepse gjithmonë në historinë e Breshës ngjitej dhe zbriste në kategorinë e parë.”

Në Breshia, Tare nuk ishte vetëm futbollisti shqiptar i skuadrës, për komunitetin shqiptar në Itali, ai ishte një figurë me të cilën mund të identifikoheshin. Në stadium dhe në rrugët e qytetit, prania e tij kishte krijuar një lidhje të veçantë me tifozët shqiptarë.

“Fëmijë, meqë i ktheu shqiptarët në Breshë, me çfarë krenohesh meqë je shqiptar?”

“Me Taren.”

“Po ti?”

“Po plakë me Taren, kemi Iglin, kemi Iglin.”

“Jo, po nuk duam shqiptar, nuk duam kështu, nuk duam ashtu… po atij ja tregoi Igli, si të gjithë breshianëve!”

Tare e kuptonte se çfarë përfaqësonte në atë periudhë. Dhe këtë e thoshte hapur edhe në televizionet italiane.

Në një intervistë në emisionin italian Controcampo, Tare foli për përgjegjësinë që ndjente si futbollist shqiptar në Serie A.

“Këtu në Itali, unë jam një ambasador si të gjithë bashkëkombësit e mi që kanë mbërritur diçka…”

 “Dhe është gjë normale për mua që të jap maksimumin tim për prezantimin në radhë të parë të vetes time, të futbollit shqiptar dhe të Shqipërisë…sepse duhet të jemi shembull jo vetëm për popullin shqiptar, por duhet të jemi dhe për popullin italian. Kështu që të japim shembull që edhe nga Shqipëria ka njerëz të mirë.”

Në vitin 2001, Tare fliste për Breshian si një futbollist që sapo kishte hyrë në Serie A. Në vitin 2026, ai e kujton atë periudhë pasi ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij profesionale në futbollin italian.

 “Jo, ajo lidhja ime me Breshian është shumë e fortë. Nuk është shkëputur kurrë asnjëherë edhe në rrugëtimin tim që kam bërë mbas asaj eksperience. Kështu që e kam ndjekur gjithmonë rrugëtimin e saj…”

Breshia ishte fillimi i eksperiencës së Tares në Serie A. Por sot ka edhe një arsye tjetër pse historia e atij klubi rikthehet në vëmendje.

Në korrik të vitit 2026, Brescia Calcio u shpall e falimentuar nga gjykata e qytetit, duke hapur një tjetër kapitull të vështirë në historinë e klubit, për Taren, kjo është një situatë që lidhet me një klub që mbetet pjesë e rëndësishme e karrierës së tij.

Por historia e Tares në Breshia nuk mund të tregohet pa Roberto Baggion. Baggio ishte ylli kryesor i skuadrës dhe një prej futbollistëve më të mëdhenj të futbollit italian. Për Taren, marrëdhënia me të ishte më shumë se ajo mes dy futbollistëve të së njëjtës skuadër.

“Marrëdhëniet me Robin janë marrëdhënie normale, domethënë marrëdhënie miqësore. Ai ka premtuar që në rast se Igli dëshiron, unë do të vij në Shqipëri… sepse atij i pëlqen shumë gjuetia…Familja e Baggios më lidh më tepër edhe nganjëherë fakti që jetojmë ose jemi në të njëjtën rezidencë bashkë. I njoh vajzën, një djalë dhe një vajzë. Vajza e tij ka një lepur të vogël që ia ka vënë emrin Igli.”

 “Robi Baggio, je një mit edhe për shqiptarët…?

 “Pse?”

“Në Shqipëri ka shumë lojtarë që duan të bëhen të mëdhenj, një mesazh për ta?”

“Unë mendoj se është e rëndësishme pasioni për sportin, dëshira për të punuar, për të sakrifikuar, pasi gjithsesi është një sport që kërkon shumë sakrificë. Kjo është vërtet thelbësore.”

“Për vitin 2001, Igli Tare ka përzgjedhur të fitojë Topin e Artë në Shqipëri…”

“Jo, unë besoj se Igli Tare e ka merituar këtë përzgjedhje. Ka bërë shumë vitin e kaluar, edhe këtë vit akoma më mirë. Kështu që merita i takon atij, sepse ka punuar me impenjim dhe pasion.”

Sot, marrëdhënia me Baggion vazhdon, por ajo periudhë e Breshias ka lënë tek Tare edhe një tjetër lidhje të rëndësishme.

Pep Guardiola, në vitin 2001, Guardiola ishte ende futbollist, sot është një nga trajnerët më të njohur të futbollit botëror.

 “Ajo që ka qenë më e bukura është se Guardiola që kemi parë sot, ka qenë i njëjti njeri edhe kur ka qenë futbollist.”

Kam vetem 20 dite qe kam ardhur dhe ende po ambientohem, por me Iglin isha ne grumbullim ne te njejten dhome ne hotel, kështu që mund të them se e njoh.

E njeh me teper si njeri apo si futbollist ne kaq kohe sa keni ndenjur bashke?

“Dhe një nga gjërat më të bukura që kam pasur në eksperiencat e mia, ka qenë edhe fakti se si ai e shikonte botën e futbollit që në atë kohë. Ai në darkë gjente mundësinë që të shpjegonte taktikën duke përdorur pjesë buke ose gota ose pirunja, thika, kështu që ishte diçka shumë e bukur! Por një djalë shumë i thjeshtë edhe ai, edhe ajo të bënte ta ndjeje shumë atë thjeshtësinë e madhe që ata kishin si njerëz.”

Marrëdhënia me Baggion dhe Guardiolën nuk ka përfunduar me largimin nga Breshia, Tare ka vazhduar të mbajë kontakte me të dy.

“Ne kemi një pikë referimi edhe me Guardiolën, edhe me Baggio-n… është Edoardo Piovani, që është team menaxheri i Breshies që organizon gjithmonë këto mbrëmje ose darkat kur ata vijnë ose janë të mundshëm…Kam pasur mundësinë edhe ta vizitoja Guardiolën në një ndeshje të Premier Ligës kundra Nottingham Forest edhe kemi ndenjur bashkë mbas ndeshjes për gati dy orë për të biseduar e për të folur. Ishte i mërzitur sepse e humbën atë ndeshjen, por kam pasur gjithmonë atë dëshirën që ta mbajmë të gjallë atë raportin sepse përveç anës profesionale, ana humane për mua ka një peshë shumë të madhe.”

Në vitin 2001, Igli Tare ishte një sulmues që kërkonte të siguronte vendin e tij në Serie A, Breshia ishte vetëm fillimi. Pas disa viteve të tjera si futbollist në Itali, Tare do të merrte një vendim që do të ndryshonte karrierën e tij. Do të kalonte nga fusha në zyrë. Dhe pikërisht aty do të niste pjesa më e gjatë e karrierës së tij në futbollin italian.

 Në vitin 2008, Igli Tare mbylli karrierën si futbollist, por nuk u largua nga futbolli. Në Lazio nisi një tjetër kapitull, këtë herë si drejtues. Për 15 vite, Tare do të ishte një prej njerëzve kryesorë në vendimmarrjen sportive të klubit, nga transferimet te ndërtimi i skuadrës, nga marrëdhëniet me trajnerët te negociatat në merkato, roli i tij ndryshoi plotësisht.

LAZIO

Në Lazio, Tare u përball me një tjetër lloj presioni, nuk ishte më futbollisti që duhej të shënonte, Ishte drejtuesi që duhej të merrte vendime. Gjatë viteve në klub, në Lazio kaluan futbollistë si Hernanes, Antonio Candreva, Stefan de Vrij, Luis Alberto, Sergej Milinković-Savić dhe Ciro Immobile.

Disa prej tyre u kthyen në lojtarë të rëndësishëm të klubit dhe të Serie A. Tare ndërtoi në Lazio profilin e një drejtuesi që do të fitonte reputacion në futbollin italian.

“Jam i kënaqur me veten time domethënë. Gjithmonë njeriu ka ato mendimet që mund të bënte diçka më shumë ose mund të arrinte diçka më shumë, po eksperiencat në momentin e duhur dhe në kohën e duhur kanë qenë gjithmonë për mua shumë shumë të mira. Sidomos eksperienca e Lazios përsa i përket formimit si drejtues i një klubi të madh ishte shumë e fortë, shumë interesante…”

Pesëmbëdhjetë vite janë një periudhë e gjatë për një drejtues sportiv në të njëjtin klub.Tare qëndroi në Lazio nga viti 2008 deri në vitin 2023. Gjatë kësaj periudhe, klubi fitoi tre Kupa të Italisë dhe tre Superkupa të Italisë dhe u rikthye disa herë në Champions League. Por puna e një drejtori sportiv nuk përcaktohet vetëm nga trofetë. Ai duhet të ndërtojë skuadrën, të menaxhojë merkaton dhe të marrë vendime që shpesh vlerësohen vetëm disa vite më vonë.

NGA LAZIO TE MILANI

Në vitin 2025 erdhi një tjetër mundësi, Milani. Një prej klubeve më të mëdha të futbollit italian. Më 26 maj 2025, Igli Tare u emërua drejtor sportiv i Milanit, për të ishte një tjetër hap në karrierë.

“…dhe ajo e Milanit ishte diçka… kurorëzimi i një ëndrre shumë të madhe për të realizuar, për të punuar në një klub kaq të madh.”

Por eksperienca në Milan zgjati vetëm një sezon, në maj të vitit 2026, Tare u largua nga klubi. Një kapitull i shkurtër krahasuar me 15 vitet e Lazios, por një tjetër eksperiencë në nivelin më të lartë të futbollit italian.

Gjërat e bukura thonë zgjasin pak, po ajo e Milanit kam përshtypjen nuk mund të ishte pak e gjatë e bukur, apo ndoshta nuk ishte ashtu siç dukej?

“Nuk dua ta flas Milanin. Nuk dua ta flas…”

Në vitin 2026, ndërsa Tare është në një periudhë pushimi dhe analizimi, lidhja e tij me futbollin shqiptar vazhdon edhe përmes familjes. Djali i tij, Etienne, luan në Shqipëri me Tiranën. Por për Taren, mbiemri që mban djali i tij nuk është domosdoshmërisht një avantazh.

“Në këtë kohë që mendoni për futbollin evropian, djali juaj është te Tirana në Shqipëri. Si e shihni edhe si baba po edhe si profesionist?”

“Unë e shikoj thjesht si një eksperiencë nga ana e tij personale, nuk ka lidhje fare me mua. Ka peshën e madhe të emrit që mban, ajo nuk e ndihmon por i rëndon atë rrugëtimin e tij…po është djalë që e di çfarë do tashmë në jetën e tij edhe shpresoj e i uroj me zemër që ta arrijë sepse ka bërë shumë sakrifica në jetë. Unë jam shumë objektiv sepse e di se çfarë duhet në jetë dhe në botën e futbollit. Dhe e vetmja gjë e imja është se sa herë që bisedojmë bashkë jam shumë i rreptë në vlerësimin e gjërave.”

Tare vazhdon të ndjekë nga afër edhe zhvillimet e kombëtares shqiptare. Për të, trajneri dhe skuadra kanë nevojë për kohë dhe besim. Dy fjalë për kombëtaren… Si e shihni në tërësi trajnerin dhe kombëtaren tonë në rrugëtimin e saj?”

“Çfarë ai ka nevojë në këtë moment është që të ketë besimin e të gjithë komponentëve që janë këtu në futbollin shqiptar…Jam takuar, biles ka qenë edhe në Milanello na ka bërë një vizitë në stërvitje pak para se të bëhej trajner i Kombëtares shqiptare dhe kam përshtypje shumë të mira për të si njeri edhe si profesionist…Besoj që këto eliminatore që janë do t’i shërbejnë atij më tepër për formimin e një skuadre për të vajtur në eliminatoret e Kampionatit Evropian të ardhshëm.”

Pas Milanit, Tare është sërish në pritje të një projekti të ri, por ai nuk e konsideron këtë një tërheqje nga futbolli. Përkundrazi, e sheh si një periudhë për të parë nga afër realitete të tjera dhe për të vendosur se cili do të jetë hapi i ardhshëm. “Keni ndonjë ëndërr me synimin për futbollin evropian, pra drejtimin e një skuadre prapë, apo me këtë pozicion që keni patur prapë në Itali?”

“Absolutisht po. Po, po. Jo vetëm në Itali. Në këtë moment është një periudhë pushimi dhe analizimi i gjërave. Më pëlqen shumë të lëviz të shikoj realitete të ndryshme të futbollit e për t’i njohur nga afër…jam akoma i uritur për të dhënë diçka akoma në futbollin e rëndësishëm evropian.”

Në vitin 2001, Igli Tare ishte një futbollist shqiptar që kërkonte të afirmohej në Serie A. Në Breshia luante përkrah Roberto Baggios dhe Pep Guardiolës. Sot, 25 vite më vonë, ai e sheh atë periudhë pasi ka kaluar nëpër një karrierë të gjatë si drejtues. Nga Breshia te Lazio, nga Lazio te Milani, nga fusha te drejtimi i një prej klubeve më të mëdha të Italisë. Breshia mbetet vendi ku nisi eksperienca e tij në Serie A.

Lazio ishte periudha më e gjatë dhe më e rëndësishme në formimin e tij si drejtues, Milani ishte kapitulli i fundit…për momentin, Sepse në vitin 2026, kur e pyet për të ardhmen, përgjigjja e tij është e qartë.

“Jam akoma i uritur për të dhënë diçka akoma në futbollin e rëndësishëm evropian.”

25 vite pas atyre pamjeve të para nga Breshia, historia profesionale e Iglit me sa duket, ende nuk ka përfunduar.

 

Top Channel