Nga Genc Burimi
Në vend që të kërkonte falje e të përgjigjej për dëmet e pallogaritshme që po pëson vendi nga ata persona që vetë i emëron, Kryeministri preferoi kakarisjen nga aeroporti, me leksione sesi duhet të sillen drejtësia dhe mediat ndaj të pandehurve ‘made in Ramaland’.
Mos e dënoni mediatikisht Vlorën, thotë Rama, pa proces të rregullt gjyqësor, se shkelet parimi i shenjtë i prezumimit të pafajësisë.
Ky që vetë ka shpallur të fajshëm sa e sa kundërshtarë politikë e mediatikë para Tribunalit të opinionit publik, pa pritur jo e jo dënimin e formës së prerë, por dhe vetë hapjen e një procesi.
Dhe kësaj here huqja iu rikthye me galop. Nuk priti as pesë minuta pasi mori gjerë e gjatë në mbrojtje Vlorën nga qentë e mediave, kur ky kryeministër të vetëbëhej prokuror dhe t’i shpallte, sipas kutit të tij, fajtorë për evazion fiskal televizionet që flasin kundër tij.
Kjo është të shohësh ‘news’-e dhe qime të ‘Syri’-t i të tjerëve, pa parë trarët e korrupsionit që i kanë zënë shikimin dhe frymën mbarë Shqipërisë.
Që ditën e parë të revolucionit kundër tij, Rama i shpalli protestuesit, me sigurinë e gjelit kakarritës që e karakterizon, si të shitur te Rusia apo Irani, pa pasur nevojë për hetimin e drejtësisë, sepse Ai di gjithçka.
Por për Vlorën dhe bëmat e saja ulëritëse, njerzia, sipas Kryeministrit, duhet ta qepë sqepin deri sa drejtësia t’i shkojë në fund, domethënë heshtje minimumi pesëvjeçare, sepse kështu e do kutia e Ramës.
Guxon të japë leksione drejtësie ky Kryeministër nga maja e aeroportit, me cinizmin më të lartë, kur poshtë këmbëve të tij, te poltroni i kakarisjes, mbante të shkelura me të dyja atletet vendimet e drejtësisë më përfundimtare që njeh një vend, atë të Gjykatës Kushtetuese.
Te Rama, skena dhe prapaskena luheshin vertikalisht: Shteti sipërfaqësor i së drejtës në mikrofon, përtokë ai i së padrejtës, si zhele, në të njëjtën gjendje që ka lënë gjithë vendin.
© SYRI.net