TIRANË- Deri para pak ditësh Vlora Hyseni ishte një ndër anëtaret më të rëndësishme të Këshillit të Sigurimit, por sot ajo ishte shkaku për të cilin presidenti Bajram Begaj thirri herët në mëngjesin e së hënës këtë këshill.

Në orën 8:30 makina e kryeministrit Edi Rama hyri në Pallatin e Brigadave, ku edhe do të mbahej takimi. Para tij kishin hyrë të 13 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit, si dhe 2 përfaqësuesit e drejtësisë, kreu i SPAK Klodian Braho si dhe përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme, Kostaq Beluri, i cili është Prokuror / Drejtor te Drejtoria e Koordinimit Institucional në Prokurorinë e Përgjithshme.

Ajo që u vu re ishte mungesa në mbledhje e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, në vend të të cilit shkoi zv.drejtori i Policisë, Sokol Bizhga.

Për herë të parë, Rama e Braho u ulën përballë njëri tjetrit për të diskutuar mbi këtë çështje, ndërsa Presidenca zbuloi këto detaje.

“Për sigurinë kombëtare, institucionet nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin. Ato kanë përgjegjësi të ndryshme, por i shërbejnë të njëjtit interes: sigurisë së Republikës së Shqipërisë. Çdo mosbesim institucional të zëvendësohet me bashkëpunim, koordinim dhe komunikim profesional”, tha Presidenca në reagim.

Konkluzionet e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, duken në të njëjtën gjatësi vale me shqetësimet e shprehura një ditë më parë nga kryeministri, për ekspozimin e institucionit ndaj një dëmi të mundshëm.

 “Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë. Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë. Institucionet t’u tregojnë qytetarëve se sistemi di të korrigjojë vetveten e të mbrojë interesin publik. Detyra jonë është të forcojmë standardet, kontrollin, transparencën, llogaridhënien dhe bashkëpunimin institucional”, deklaroi Presidenca.

Mbledhja sekrete (me dyer të mbyllura) zgjati një orë e gjysmë dhe nuk dihet për çfarë është folur, përveç mesazheve të Bjram Begajt që u shpërndanë nga zyra e shtypit përmes një deklarate për mediat. 

E hapur është edhe çështja e zgjedhjes së ri kreut të ri të SHISH për të cilën Rama ka deklaruar se do të bëhet në konsultim me presidentin, me propozim të tij e dekret të kreut të shtetit por kjo ndodh vetëm pas verifikimeve nga institucionet në vend dhe me bekimin e ndërkombëtarëve.

1790592252_komisionsigurie.jpg

Foto nga mbledhja, në të majtë kreu i SPAK Klodian Braho, djathtas Kryeministri Edi Rama
ANËTARËT E KËSHILLIT TË SIGURIMIT
Këshilli i Sigurimit Kombëtar kryesohet nga Presidenti i Republikës.
1.     Kuvendi – Kryetari Niko Peleshi
2.     Këshilli i Ministrave – Kryeministri Edi Rama
3.     Ministria e Mbrojtjes, Ermal Nufi
4.     Ministria përgjegjëse për Punët e Jashtme, Ferit Hoxha
5.     Ministria e Drejtësisë; Toni Gogu
6.     Ministria përgjegjëse për Punët e Brendshme; Ervin Demo
7.     Ministria përgjegjëse për Financat; Petrit Malaj
8.     Ministria përgjegjëse për Transportin; Enea Karakaçi
9.     Ministria përgjegjëse për Energjinë; Enea Karakaçi
10. Komisioni i përhershëm parlamentar përgjegjës për sigurinë dhe mbrojtjen – kryetari i tij;  Bledar Çuçi,
11. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura – Shefi i Shtabit; Arben Kingji
12. Shërbimi Informativ i Shtetit – Drejtori; Elvis Lila
13. Policia e Shtetit – Drejtori i Përgjithshëm. Skënder Hitaj
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:46
Këshilli i Sigurimit, Begaj: Për sigurinë kombëtare, institucionet s'konkurrojnë me njëri-tjetrin! Hetimet të zhvillohen të pavarura

1790592066_komisionsigurie.jpg

Presidenca ka reaguar pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë, pas arrestit ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni se ndihmoi me informacione sekrete shetërore Ergys Agasin gjatë arratisë.

Reagimi i plotë

Presidenti Bajram Begaj, thirri sot mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar për të diskutuar çështjet e aktualitetit dhe impaktin që ato kanë mbi veprimtarinë e institucioneve të sigurisë. Në mbledhje, përveç anëtarëve që përcakton ligji, ishin të ftuar edhe institucioni e Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK-u.

Këshilli diskutoi për situatën dhe masat që duhet të merren nga institucionet për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, bashkëpunimin me partnerët dhe aleatët dhe forcimin e besimit të publikut.

Në takim u konkludua se: 

Për sigurinë kombëtare, institucionet nuk konkurrojnë me njëri-tjetrin. Ato kanë përgjegjësi të ndryshme, por i shërbejnë të njëjtit interes: sigurisë së Republikës së Shqipërisë. Çdo mosbesim institucional të zëvendësohet me bashkëpunim, koordinim dhe komunikim profesional.

Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë. Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë.

Institucionet t’u tregojnë qytetarëve se sistemi di të korrigjojë vetveten e të mbrojë interesin publik. Detyra jonë është të forcojmë standardet, kontrollin, transparencën, llogaridhënien dhe bashkëpunimin institucional.

Shqipëria ka institucione, ka partnerë dhe aleatë ndërkombëtarë, ka profesionistë dhe kapacitete. Institucionet e Republikës të punojnë së bashku për të forcuar shtetin, sigurinë kombëtare dhe besimin e qytetarëve.

Këshilli i Sigurimit Kombëtar nuk merr vendime. Ai është organ këshillimor i Presidentit të Republikës dhe mbështet Presidentin në ushtrimin e kompetencave kushtetuese dhe ligjore. Mbledhjet e tij zhvillohen të mbyllura.

Ora 10:24
Përfundon mbledhja e Këshillit të Sigurisë, Rama lë Pallatin e Brigadave (VIDEO)

Kryeministri Rama është larguar nga Pallati i Brigadave pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë që zgjati një orë e gjysmë. 

Ora 09:29
Këshilli i Sigurisë në mbledhje, PD: Shkaktarët s’mund të jenë kurrë shpëtimtarë! S’ka nevojë për mbledhje fasadë, të formohet qeveria teknike

Partia Demokratike thotë se mbledhja e sotme e Këshillit të Sigurisë lidhur me zhvillimet e fundit në vend pas arrestit të ish-kreut të SHISH, Vlora Hysenit, është veç një fasadë. Deputeti Bardh Spahia shprehet në një reagim se shpëtimi nuk mund të vijë nga ata që e shkaktuan situatën.

Në pretendimet e tij, kërkon shpërbërjen e menjëhershme të shtetit të lidhur me krimin, largimin e kastës politike dhe formimin e qeverisë teknike për zgjedhje të lira.

Reagimi i plotë:

Mbledhja e sotme e Këshillit të Sigurisë Kombëtare nuk është gjë tjetër veçse një maskaradë e pështirë, e orkestruar nga po ata krerë institucionesh që e zhytën vendin në këtë humnerë pasigurie, kriminaliteti dhe degradimi.

Kush diskuton sot për sigurinë kombëtare?​Një tryezë ku shumica dërrmuese e anëtarëve janë të kapur mat në përgjime, në pazare të pista, në ndarje parash dhe në bashkëqeverisje të hapur me krimin e organizuar! Si mund të presë një popull i tërë mbrojtje nga ata që e kanë vënë shtetin në shërbim të bandave për të ruajtur pushtetin dhe paratë e vjedhura?

​Shkaktarët nuk mund të jenë kurrë shpëtimtarë!

Siguria kombëtare nuk mund të mbetet në duart e antikombëtarëve që shesin të ardhmen e vendit në duart e krimit.

​I vetmi akt me një fije dinjiteti i këtij këshilli të padinjitet, i kësaj qeverie dhe i këtij parlamenti të kapur, do të ishte një dhe i vetëm: vetëshkrirja dhe largimi pa kthim!

​Shqipëria nuk ka nevojë për mbledhje fasadë, por për:

​Shpërbërjen e menjëhershme të një shteti të kapur në "krevat" me krimin.

​Largimin e kësaj kaste të komprometuar dhe të zhytur në dosje e përgjime.

​Formimin e një qeverie teknike që garanton njëherë e mirë të drejtën themelore të mohuar: votën e lirë e të ndershme.

​Maskat kanë rënë dhe koha e maskarenjve ka marrë fund!

Ora 08:31
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, kryeministri Edi Rama mbërrin në Pallatin e Brigadave (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Pallatin e Brigadave, aty ku do të mblidhet Këshilli i Sigurisë kombëtare për situatën e krijuar në vend pas arrestit ndaj ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni.

SI.E./R.Xh/Shqiptarja.com
Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★
3.0 / 5 (4 vlerësime)

Komente

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • ALDO: 28/09/2026 13:20

    MOS KA NDONJE MESAZH ME LEDEN E DURRESIT AGASI SE I KA FUT TENTAKULAT THELLE

    Përgjigju
  • hmm: 28/09/2026 10:46

    Këshilli i sigurimit duhej te mblidhej po atë ditë, por siguria e shtetit per ju eshte ne vend te dytë, shihet qartë

    Përgjigju
  • Ziku: 28/09/2026 08:48

    Siguria Kombat are eshte n rregull....Rama aty, Berisha eshte gjalle,Balluku edhe ate s na e ka lujt kush,te gjith aty jane t forte e gjith shendet.ca problemi ka?!!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 26 Shtator, 18:15

    Ambasadori i ri i SHBA nis misionin, a besoni se do sjellë ndryshim në mjedisin politik?