Pse viktimat e krimeve të luftës mbeten në hije?

Të lidhur me zinxhirë në bodrume e stalla, të mbuluar nga balta dhe të rrethuar me jashtëqitje njerëzish e kafshësh. Disa u varën kokëposhtë, u rrahën, iu shkulën thonjtë apo iu thyen gjymtyrët.

Të lidhura

None found

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1999, qindra persona të cilësuar si kundërshtarë të UÇK-së u ndaluan në mënyrë arbitrare dhe u keqtrajtuan. Mes tyre, sipas raportimeve, kishte mësues, bujq, pylltarë, punëtorë të zakonshëm dhe, në disa raste, gra e fëmijë.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë i dënoi për këto krime lufte katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

Vendimi është i shkallës së parë. Mbrojtësit e katër të dënuarve kanë paralajmëruar se do ta apelojnë.

Që prej shpalljes së aktgjykimit, mijëra persona mblidhen çdo mbrëmje në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë. Ata brohorasin “Jo në emrin tim” dhe kundërshtojnë dënimin e atyre që i quajnë “heronj” e “çlirimtarë”.

Mes fjalimeve dhe këngëve në tubime, vëmendje të pakët u kushtohet viktimave. Pse ndodh kështu?

Image

Agon Maliqi, bashkëpunëtor i lartë jorezident në Qendrën për Evropën të Këshillit Atlantik dhe njohës i zhvillimeve në Kosovë, thotë se verdikti është parë si goditje ndaj trashëgimisë së luftës çlirimtare dhe historisë së vendit.

Sipas Maliqit, diskutimi duhet të përqendrohet sërish te përgjegjësia individuale e personave që kryen veprat, dhe jo te ndërtimi i një rrëfimi se lidershipi i UÇK-së kishte motive kriminale.

“Duhet të pyesim sinqerisht: a janë të dënuarit ata që kanë qenë zbatuesit dhe urdhërdhënësit e veprave dhe se a vendos ky lloj verdikti drejtësi?”, i tha Maliqi Radios Evropa e Lirë.

Ai vlerëson se vendimi nuk u ka sjellë drejtësi as viktimave, as të dënuarve, sepse përgjegjësia iu ngarkua nivelit komandues pa u përcaktuar individualisht për secilin rast.

Trupi Gjykues e lidhi përgjegjësinë e katër ish-udhëheqësve të UÇK-së me ekzistencën e një plani të përbashkët kriminal, që kishte për synim personat e konsideruar kundërshtarë të UÇK-së.

Sipas gjykatës, të akuzuarit ndihmuan në krijimin dhe zbatimin e planit dhe nuk vepruan për ta ndalur. Komandantët e zonave, thuhet në vendim, ishin “zbatues të zellshëm” të këtij qëllimi kriminal.

Përmbledhja e aktgjykimit e përshkruan këtë si veprim të përbashkët: “Megjithëse përgjegjësia e të akuzuarve është individuale dhe personale, ajo që ata bënë, nuk do të mund të ishte realizuar nga një person i vetëm. Atë e bënë bashkë, me vendosmëri dhe me ndihmën e të tjerëve”.

Përdorimi i termit “ndërmarrje e përbashkët kriminale” ka shkaktuar reagime nga qytetarët që besojnë se kjo e njollos luftën e UÇK-së.

Disa qytetarë që folën për Radion Evropa e Lirë thanë se nuk besojnë se akuzat janë mbështetur në fakte e dëshmi të mjaftueshme. Ata i quajtën ato spekulime dhe të papranueshme për popullin e Kosovës.

“Kush i ka konstatuar? Ku janë faktet? Ku janë dëshmitë? Ato janë veç spekulime”, tha Milaim Llugaxhiu nga Suhareka.

Image

“Ato akuza janë qesharake, hajgare për popullin tonë”, u shpreh Liridon Sheholli nga Podujeva.

“Nuk është e vërtetë, të gjithë e dimë”, tha Qemajl Hasani nga Vushtrria.

Edhe Bajram Beqiri, po ashtu nga Vushtrria, tha: “Nuk ka kurrfarë faktesh dhe si të tilla janë të papranueshme për ne dhe për popullin e Kosovës”.

Aktgjykimi i plotë për rastin ende nuk është bërë publik.

Maliqi thotë se përveç debatit rreth trashëgimisë së UÇK-së, mungesa e vëmendjes ndaj viktimave lidhet edhe me anonimitetin e tyre dhe me dyshimet për profilin e tyre.

“Ekzistenca e dyshimeve se një pjesë e mirë e tyre mund të kenë qenë spiunë, apo bashkëpunëtorë dhe dëshmitarë të përpunuar nga Serbia, e bën shumëkë që të mos i shohë si viktima, por thjesht si kolateral legjitim lufte”, tha ai.

Në përmbledhjen e aktgjykimit thuhet se të ndaluarit akuzoheshin personalisht si spiunë e tradhtarë dhe për bashkëpunim me regjimin serb.

Megjithatë, gjyqtarët thanë se, “me përjashtime të kufizuara”, nuk gjetën prova se viktimat kishin kryer vepra kriminale, kishin marrë pjesë drejtpërdrejt në luftime apo përbënin ndonjë rrezik tjetër të ligjshëm për sigurinë e UÇK-së.

Maliqi pranon se në atë kohë kishte persona që bashkëpunonin me autoritetet serbe. Ai shton se ekziston një konsensus se, “në rrethana lufte, së paku, ndalimi i personave të dyshuar është praktikë legjitime”.

Image

Por, sipas tij, dihet se njerëz janë shënjestruar pa arsye dhe në mënyrë arbitrare, për shkak të mosbesimit, mospajtimeve politike ose inateve personale.

Përveç rastit të Behajdin Allaqit, emrat, fytyrat dhe historitë e viktimave nuk janë bërë publike, çka ka nxitur mosbesim ndaj tyre. Radio Evropa e Lirë kontaktoi familjen e Allaqit për një koment pas aktgjykimit, por nuk mori përgjigje.

Maliqi thotë se është e kuptueshme që viktimat dhe dëshmitarët të kenë zgjedhur anonimitetin “për t’u mbrojtur nga gjykimi publik”. Megjithatë, sipas tij, kjo ka krijuar përshtypjen se ata janë fajtorë ose kanë diçka për të fshehur.

“Sidomos duke e ditur se përballë këtyre viktimave abstrakte në bankën e të akuzuarve nuk janë vetë kryesit e veprave, por figura me peshë historike, të cilët po gjykohen mbi logjikën e strukturës komanduese – gjë që automatikisht e zhvendos empatinë drejt tyre”, tha Maliqi.

Mes viktimave, sipas aktgjykimit, kishte edhe persona të ndaluar vetëm pse quheshin “ushtarë të [Ibrahim] Rugovës”, pasi përkrahnin Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK).

Radio Evropa e Lirë kërkoi një qëndrim nga LDK-ja për përmendjen e saj në vendimin dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së, por nuk mori përgjigje.

Më 16 shtator, partia publikoi një komunikatë ku kundërshtoi vendimin e Speciales. Sipas saj, “UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë” dhe ajo vetëm “mbrojti pragun e shtëpisë”.

Në këtë komunikatë, njësoj si në shumicën e deklarimeve publike pas verdiktit, vëmendje iu kushtua krimeve të kryera nga forcat serbe në Kosovë.

Po atë ditë reagoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e cilësoi vendimin “padrejtësi të papranueshme, ndëshkim të madh e të dëmshëm”.

“Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të ish-krerëve të UÇK-së dhe të gjithë bashkëluftëtarëve çlirimtarë”, tha Kurti. Në reagimin e tij ai nuk i përmendi viktimat, ndërsa përfundimet se të akuzuarit kishin shënjestruar persona të konsideruar bashkëpunëtorë të regjimit serb i quajti “konstatime të padrejta”.

Më pas, Kurti u zotua se do të ofronte gjithë mbështetjen e mundshme përmes një strategjie shtetërore, me qëllim që ekipet mbrojtëse të ndihmoheshin në apelimin e vendimit.

Analisti politik Ilir Deda i tha Radios Evropa e Lirë se mbështetja për apelimin “nuk duhet të shndërrohet në mohim të vuajtjes së viktimave”.

“Respekti për viktimat nuk e dobëson mbrojtjen; përkundrazi, ia shton kredibilitetin”, u shpreh Deda. Ai theksoi se përgjegjësia penale e individëve nuk duhet t’i kthehet në faj kolektiv UÇK-së apo shtetit të Kosovës.

Shumica e organizatave në Kosovë që merren me drejtësinë dhe të drejtat e njeriut e kundërshtuan gjithashtu verdiktin, pa u ndalur te viktimat.

Më 25 shtator, 11 organizata reaguan ndaj Amnesty International, duke kundërshtuar lidhjen që kjo e fundit bëri mes aktgjykimit dhe “mijëra viktimave të luftës në Kosovë”, pa përmendur krimet e forcave serbe.

Amnesty International deklaroi se dënimet “u japin shpresë mijëra viktimave të luftës në Kosovë”.

Organizatat kërkuan që Amnesty të dallonte viktimat dhe krimet e trajtuara në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve nga viktimat e tjera të luftës, shumica prej të cilave u vranë nga forcat serbe.

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, në anën tjetër, u përqendrua te viktimat e çështjes ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Në reagimin e Fondit thuhet se elitat politike në Kosovë e kanë bërë rrëfimin për luftën heroike të UÇK-së kundër forcave serbe “si pothuajse të vetmin interpretim të lejueshëm të luftës”, por ky rrëfim nuk mund t’i ndryshojë faktet e përcaktuara në aktgjykim.

Fondi pranoi, megjithatë, se pakënaqësia në Kosovë buron nga “mungesa pothuajse e plotë” e ndjekjes penale të zyrtarëve serbë të asaj kohe në gjykatat e Serbisë.

Organizata këmbënguli se faktet e vërtetuara nga gjykata nuk mund të relativizohen duke i quajtur viktimat “bashkëpunëtorë”. Radio Evropa e Lirë e kontaktoi Fondin për të diskutuar vendin e viktimave në debatin pas aktgjykimit, por nuk mori përgjigje.

Sipas vendimit, të paktën 385 persona u ndaluan në mënyrë të paligjshme ose arbitrare, 303 u torturuan, 49 u trajtuan mizorisht dhe 96 u vranë.


Shtuar më 28.09.2026 08:01

Quantcast
sultanbeyli escortCasibommarsbahisjojobetjojobetcasibomCasibomCasino welcome bonusjojobetcasibomjojobetcasibommarsbahis güncel girişcasinoroyalpusulabetpusulabetpusulabetholiganbetholiganbetholiganbetholiganbetcasibomcasibombahsegelsekabet