AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Analiza

Një klikim, mijëra lekë: Si po bien shqiptarët në grepin e ‘mashtrimit kompjuterik’

Skemat mashtruese phishing dhe smishing po kthehen në një nga format më të përhapura të krimit kibernetik në Shqipëri, shpeshherë të orkestruara nga shtetas të huaj, duke u kushtuar shtrenjtë qytetarëve shqiptarë.

Bleona MetushiBleona MetushiBlerina CeneBlerina CenengaBleona MetushidheBlerina Cene
3 hours më parë
në Analiza, Artikull kryesor, Artikull kryesor Analiza
Koha e leximit: 6 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
foto ilustruese nga aksk
Foto ilustruese nga AKSK

Gjithçka nisi nga një mesazh në telefon.

Gentjana Driza ishte në pritje të një porosie nga TEMU më 23 maj, kur mori një mesazh në dukje nga Posta Shqiptare, që e njoftonte se duhej të paguante një tarifë doganore minimale.

Mesazhi kishte bashkangjitur edhe një link, të cilin ajo e klikoi dhe iu shfaqën në ekran disa formularë. Sipas kallëzimit të saj në polici, Driza kishte menduar se ishte një kërkesë legjitime nga Posta Shqiptare, ndaj ndodhi udhëzimet pa e menduar gjatë dhe vendosi të dhënat e saj personale dhe bankare.

Por shpejt e kuptoi se sapo kishte rënë pre e një mashtrimi.

Përmes aplikacionit bankar në telefon, ajo filloi të merrte njoftime të njëpasnjëshme për transferta parash në vlera të konsiderueshme nga llogaria e saj. Njoftimet nuk u ndalën edhe pasi ajo kontaktoi me bankën dhe bllokoi kartën.

Brenda tre ditësh, Driza humbi rreth 100 mijë lekë nga llogaria e saj bankare, ndërkohë që vlera e plotë ishte ende e paqartë për shkak të dinamikës së transaksioneve.

“Kërkoj nga organet kompetente kryerjen e verifikimeve dhe hetimeve përkatëse me qëllim identifikimin e personit apo personave përgjegjës për këtë mashtrim kompjuterik, si dhe marrjen e masave ligjore për ndjekjen penale të tyre,” deklaroi ajo në polici.

Driza është vetëm një nga qindra viktimat e mashtrimit digjital në Shqipëri – një vend që po shënon rritje të stërmëdha të sulmeve kibernetike gjatë viteve të fundit.

Sipas Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, AKSK, sulmet e kësaj natyre kanë pësuar një rritje të ndjeshme gjatë viteve 2020-2026, si në volum ashtu edhe në kompleksitetin e tyre.

“Gjatë viteve të fundit është vërejtur një rritje e veçantë e sulmeve që synojnë përdoruesit përmes manipulimit psikologjik dhe mashtrimit online, me objektiv vjedhjen e kredencialeve, informacionit financiar apo sigurimin e aksesit në sisteme,” tha AKSK për BIRN.

Kërcënimet më të shpeshta të evidentuara nga AKSK përfshijnë ato që njihen si sulme phishing apo smishing – sulme të inxhinierisë sociale që targetojnë qytetarët e zakonshëm përmes mesazheve të rreme me qëllim mashtrimin e tyre për të ndarë të dhëna personale apo financiare.

Nën shenjestër nuk janë vetëm qytetarët e zakonshëm, por edhe institucionet publike apo infrastrukturat kritike të informacionit.

Që prej sulmeve masive kibernetike ndaj infrastrukturës shtetërore në vitin 2022, Shqipëria ka forcuar ndjeshëm, sipas AKSK-së, kapacitetet kombëtare për zbulimin, parandalimin dhe menaxhimin e incidenteve në sferën digjitale.

Megjithatë, ekspertët e sigurisë kibernetike dyshojnë nëse fondet e shpenzuara dhe strukturat e reja të ngritura ia kanë dalë që t’i minimizojnë rreziqet në këtë drejtim.

“Problemi është se investimi nuk matet me vlerën e tenderëve apo me numrin e konferencave, por me rezultatet që prodhon,” tha Besmir Semanaj, një ekspert i sigurisë kibernetike.

“Nuk mjafton të blesh pajisje apo software. Duhet ekspertizë, transparencë, auditime të pavarura dhe mbi të gjitha njerëzit e duhur në pozicionet e duhura,” theksoi ai.

“Peshkimi” digjital  

Institucionet që trajtojnë sulmet kibernetike në Shqipëri i klasifikojnë këto të fundit në tentativa dhe incidente, ndërkohë që statistikat zyrtare evidentojnë një diferencë të stërmadhe mes tyre.

Sipas Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, gjatë vitit 2026 u regjistruan mbi 17 milionë tentativa për sulme kibernetike, por vetëm një numër i vogël prej tyre u klasifikuan si incidente të konfirmuara sigurie.

Të dhënat tregojnë gjithashtu një rritje të fushatave phishing dhe smishing, të cilat pasqyrojnë tendencat globale të kriminalitetit kibernetik që synojnë individët dhe organizatat.

“Phishing” nënkupton njërën nga metodat e krimeve kompjuterike, ku mashtruesit i gënjejnë njerëzit që të ndajnë informacione personale apo të shkarkojnë file të dëmshme duke pretenduar se janë burime të besueshme. Në një formë të ngjashme, smishing përfaqëson formën e përdorimit të mesazheve SMS në mashtrimin e njerëzve.

“Sulmet phishing përbëjnë një nga format më të zakonshme të mashtrimit kibernetik dhe ndikimi i tyre mund të jetë financiar, operacional dhe reputacional,” tha AKSK.

Edhe Policia e Shtetit konfirmon se sulmet “phishing” dhe “smishing” përbëjnë tashmë format më të përhapura të mashtrimit online në Shqipëri, ndonëse të dhënat për to janë pjesë e statistikave më të gjera.

Policia e Shtetit i tha BIRN se gjatë viteve 2020-2026 kishte referuar në Prokurori 2316 raste të veprave penale të mashtrimit kibernetik ose falsifikimit kibernetik me 233 persona të arrestuar dhe 1339 persona të gjykuar në gjendje të lirë.

“Bazuar në rastet e hetuara gjatë viteve të fundit, një nga format më të përhapura të mashtrimit kompjuterik në Shqipëri mbetet mashtrimi përmes mesazheve ose komunikimeve phishing dhe smishing, ku autorët tentojnë të mashtrojnë qytetarët duke u paraqitur si institucione bankare, kompani shërbimesh ose informacion personal,” deklaroi Policia.

Sipas ekspertit Semanaj, phishing vazhdon të mbetet metoda kryesore e mashtrimit kompjuterik në Shqipëri, pasi “është e lirë dhe fitimprurëse”.

“Nuk ke nevojë të sulmosh një server apo të gjesh ndonjë dobësi teknike, mjafton të mashtrosh njeriun,” thotë Semanaj, duke theksuar se qëllimi është gjithmonë ai ekonomik.

“Ose të marrin paratë direkt nga llogaria, ose të marrin kredencialet e tua dhe t’i përdorin më vonë. Sot një adresë email-i, një llogari Facebook-u apo një akses në bankë kanë vlerë dhe shiten,” shtoi ai.

Semanaj e konsideron faktorin njerëzor si problem kryesor dhe apelon për më shumë eduktim dhe ndërgjegjësim mes qytetarëve shqiptarë.

“Shumica e sulmeve nuk fillojnë duke thyer një firewall. Fillojnë sepse dikush klikon një link, hap një dokument ose jep një kod verifikimi. Ende shohim njerëz që përdorin të njëjtin fjalëkalim kudo, nuk kanë aktivizuar autentikimin me dy faktorë dhe besojnë çdo mesazh që duket “zyrtar”,” tha ai.

“Sigurisht që ka edhe probleme teknike, por edhe sistemi më modern në botë nuk të shpëton nëse përdoruesi ia jep vetë çelësat sulmuesit,” shtoi Semanaj.

Përtej kufijve

Si shumë krime të tjera, edhe krimi kibernetik nuk njeh kufij. Mes mijëra rasteve të proceduara në vitet e fundit, Policia e Shtetit i tha BIRN se kishte identifikuar edhe 89 shtetas të huaj, të cilët akuzohen për mashtrime apo falsifikime kompjuterike në Shqipëri.

Shkëmbimi i informacionit për trajtimin e rasteve është i rëndësishëm edhe për Prokurorinë e Përgjithshme, e cila në të njëjtën periudhë ka regjistruar 42 letërporosi të ardhura nga autoritetet e huaja për veprën penale të mashtrimit kompjuterik. Në anën tjetër, Prokuroria e Përgjithshme i tha BIRN se kishte dërguar 300 letërporosi drejt autoriteteve të huaja, çka nxjerr në pah natyrën ndërkufitare të një pjese të hetimeve.

Mashtrimi smishing në emër të Postës Shqiptare përfshin edhe një 22-vjeçar me nënshtetësi franceze të quajtur Zyad, i cili hyri në Shqipëri si shumë turistë të tjerë të huaj në mesin e muajit maj. Gjykata vendosi ndaj tij masën e arrestit me burg, ndërkohë që një tjetër shtetas gjerman u shpall në kërkim për të njëjtën skemë mashtrimi.

Policia identifikoi fillimisht numrin përmes së cilit u shpërndanë mesazhet në emër të Postës Shqiptare dhe më pas pikën e shitjes në Ksamil, ku ky numër ishte regjistruar në emër të një shtetasi gjerman.

Megjithatë, kamerat e sigurisë së dyqanit identifikuan 22-vjeçarin francez si personin që kishte blerë kartën – ai ishte i veshur sportive, me kapele në kokë dhe kufje për të dëgjuar muzikë.

Në një çështje të dytë të ndodhur në tetor të vitit 2025, dy shtetas kinezë akuzohen gjithashtu se kanë krijuar një skemë mashtrimi duke përdorur sërish kredencialet e Postës Shqiptare.

Cunfeng Fan, 51 vjeç dhe Haike Yan, 45, erdhën në Shqipëri tetorin e vitit të kaluar dhe u akomoduan në një hotel në zonën e Siri Kodrës në Tiranë. Përmes disa pasaportave që kishin marrë me vete, ata akuzohet se blenë numra telefonikë shqiptarë. Policia ra në gjurmët e tyre pas një emaili të dërguar nga një qytetar, i cili denonconte një përpjekje për mashtrimin e prindërve të tij.

Denoncuesi vuri në dispozicion të hetuesve numrin e telefonit nga ishte nisur mesazhi smishing me një link të postës shqiptare dhe e vendosi atë në përgjim. Më 31 tetor 2025, Policia mësyn në dhomën e tyre të hotelit dhe gjeti mes provave të tjera edhe një listë me numra telefoni shqiptar.

Dy shtetasit nga Kina u përpoqën t’ia pasojnë fajin një personi të tretë nga Kamboxhia, që sipas tyre kishte siguruar numrat e telefonit.

Përfshirja e dhjetra shtetasve të huaj në skemat e mashtrimit digjital në Shqipëri e vështirëson zbulimin e krimeve dhe vënien e autorëve përpara drejtësisë. Ndaj për ekspertin e krimit kibernetik, Besmir Semanaj, mënyra më efikase e parandalimit të tyre do të ishte edukimi i popullatës përmes fushatave të ndërgjegjësimit.

“Unë them gjithmonë një gjë shumë të thjeshtë: mos klikoni linqe që vijnë me SMS apo email kur bëhet fjalë për bankën. Hapni vetë aplikacionin ose shkruani adresën e bankës në shfletues,” thotë Semanaj duke shtuar: “janë 10 sekonda që mund t’u kursejnë mijëra euro”.

Etiketa: Autoriteti Kombetar per Sigurine KibernetikeBesmir SemanajKrime kompjuterikePolicia e ShtetitProkuroria e PërgjithshmeSiguria digjitaleSkemat mashtruese
foto ilustruese nga aksk

Një klikim, mijëra lekë: Si po bien shqiptarët në grepin e ‘mashtrimit kompjuterik’

07:59 | 28/09/2026
naknaknak brussels 4056171

Evropa duhet të zgjedhë mes fuqisë dhe varësisë

19:00 | 27/09/2026
giorgio cuccia speaks before an arbereshe cultural procession during easter week in piana degli albanesi

Arbëreshët e Siçilisë: një identitet shekullor që po zbehet

07:18 | 27/09/2026
photo 2026 09 17 21 29 27

Kur populli e bojkoton shkrimtarin, para se shkrimtari të bojkotojë popullin

14:44 | 26/09/2026
Saga e ‘seancës paraprake’ për çështjen Veliaj, 4 muaj jashtë afatit

Republika e sofizmave

08:03 | 26/09/2026
b488b63e 66a8 4015 a792 942cc9eb0dec

Zgjidhen tre anëtarët e rinj gjyqtarë të KLGJ-së

20:07 | 25/09/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.