Një lajm i trishtë ka mbërritur së fundmi nga bota e artit pasi mësohet se është ndarë nga jeta në moshën 75-vjeçare aktori i njohur i estradës së Lushnjës, Robert Kamani. Lajmin e kobshëm e kanë bërë me dije miqtë e aktorit, të cilët zemërthyer kanë njoftuar për largimin nga jeta të Kamanit.
Përmes një reagimi prekës, ku sjell në kujtesë takimin e fundit me Robert Kamanin, miku i tij Fatbardh Rustemi shkruan se mosha dhe asgjë nuk ia ndaloi ecjen dhe të qenurit aktiv në skenë, postime dhe tavolinat me miqtë e tij. Sakaq, mësohet se aktori, ndonëse ndër vite udhëtoi botën, frymën e fundit e dha në Shqipëri, në atdheun e tij që ai e deshi kaq shumë dhe kontribuoi për të deri në ditën e fundit të jetës së tij.
Ndërsa zbulohet se kërkesa e tij e fundit ishte redaktimi i poezive të tij, që ia kishte besuar Fatbardh Rustemit.
“Një lajm shokues sapo më erdhi nga Shqipëria: shoku im i vjetër, aktori i njohur i estradë së Lushnjës, Robert Kamani, u nda nga jeta, që e deshte aq shumë. Të vetmin nder, që i bëri vdekja: nuk e mori në Amerikë, as në Turqi, ku festoi 75-vjetorin e ditëlindjes me familjarët, por, në atdhe.
Pesha e moshës nuk ia ngadalsoi ecjen. Largësia s'e pengoi të ishte i pranishëm në hallet e vendit, duke qenë aktiv në postimet e tij. Humori, që dikur e jepte për publikun në skenë, do e shoqëronte në tavolinë me miqtë.
U takuam, së fundi, dhe në Tiranë, ku më kërkoi t'i redaktoja një përmbledhje me të gjitha poezitë e shkruara. Ky ishte plani i tij i së ardhmes, duke e bërë dhe më të rëndë humbjen e tij. Në poezi përshkruan jetën, ashtu sikurse e bëri: të vrullshme, nga një djalosh i dashuruar deri tek emigranti udhëve të botës. Nga skena ku tallej me veset e shoqërisë deri në Akropol, ku një natë fjeti me perënditë.”, shkruan Fatbardh Amursi Rustemi.
Ikja e aktorit të njohur të Lushnjës ka lënë pas një boshllëk për të gjithë miqtë, kolegët e njerëzit që e njohën ndër vite për rolet e tij të spikatura në skenë, por më së shumti për familjen e tij, bashkëshorten Diana, djalin Rodi dhe mbesat e nipërit.
Kamani e nisi karrierën e tij si aktor shfaqje si komedia “Tre magjistarët” (në rolet kryesore alokuar me artistë të tjerë si Roland Lushnjari dhe Flamur Shabani) dhe aktivitete të Shtëpisë së Pionierit në Lushnjë.
Më vonë u bë dhe pjesë e trupës ku interpretoi në dhjetëra premiera, skeçe dhe parodi, shpesh në krah të aktorëve të tjerë të njohur si Hasan Dervishi, Llukan Kola dhe Hekuran Zhiti dhe ka pasur një bashkëpunim të ngushtë me regjisorë të njohur si Kristaq Papa, Gjergj Vlashi dhe Leka Bungo, duke u shfaqur shpesh edhe në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar.
Newsbomb.al i shpreh ngushëllime familjes, miqve dhe kolegëve për humbjen tragjike të njeriut të tyre të zemrës.
