
Në kohën kur Shërbimi Informativ Shtetëror ndodhet në pikën më të ulët të besueshmërisë pas skandalit të drejtoreshës Vlora Hyseni që informonte Ergys Agasin, është publikuar një tjetër skandal që vë në pikëpyetje të madhe sigurinë e vendit.
Hakerat e quajtur “Homeland Justice” kanë publikuar materiale ku pretendohet se ndodhen fatura të Vodafone me lista numrash telefoni që dyshohet se përdoren nga agjentë të SHISH. Lajmi u bë me dije nga eksperti i sigurisë, Besmir Semanaj i cili shkruan se është cënuar drejtëpërdrejt siguria e agjentëve dhe e vendit.
“Nëse këto të dhëna konfirmohen si autentike, atëherë nuk kemi të bëjmë thjesht me një rrjedhje të zakonshme informacioni. Kemi të bëjmë me një çështje që prek drejtpërdrejt sigurinë e agjentëve, të burimeve dhe të operacioneve të një institucioni të inteligjencës.
Kërkoj që SHISH-i dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale të deklarojnë publikisht nëse materialet janë autentike dhe çfarë masash janë marrë për mbrojtjen e personave të prekur. I kërkoj gjithashtu çdokujt që i ka këto materiale të mos i shpërndajë. Çdo shpërndarje e mëtejshme i shërben pikërisht qëllimit të atyre që i publikuan”- shkruan Semanaj.
Nëse kjo gjë vërtetohet atëherë kemi të bëjmë me një rrezik ende më të madh sa i takon sigurisë së të dhënave të qytetarëve shqiptarë ndërkohë që hakerat kanë arritur të kenë në dorë edhe të dhëna të agjentëve sekretë. Versus.al

