Tre operacione policore të zhvilluara gjatë 24 orëve të fundit në Kukës dhe Tropojë kanë çuar në arrestimin e tre personave, ndërsa janë sekuestruar armë zjarri, municion dhe bimë narkotike. Gjithashtu, policia ka zbardhur dy raste të vjedhjes me thyerje.
Në Tropojë, në kuadër të operacionit “Befasia”, u arrestua 45-vjeçari E. M., banues në Markaj. Gjatë kontrollit të banesës, në zbatim të një vendimi gjykate, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri automatike dhe municion luftarak.
Po në Tropojë, gjatë operacionit “Weekend”, u arrestua në flagrancë 38-vjeçari S. H., i dyshuar për kultivim të bimëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas policisë, gjatë kontrollit në një zonë të pyllëzuar në territorin e Njësisë Administrative Tropojë e Vjetër, shërbimet konstatuan 38-vjeçarin rreth 50 metra larg një parcele ku ishin kultivuar 42 bimë kanabis. Nga veprimet hetimore dyshohet se bimët ishin kultivuar prej tij.
Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet një pistoletë me krehër dhe 9 fishekë, ndërsa në banesë u sekuestruan një armë gjahu, municion dhe një thikë.
Zbardhen dy vjedhje në Kukës
Ndërkohë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, në bashkëpunim me strukturat e Policisë Durrës, kanë dokumentuar dy raste të vjedhjes me thyerje, të një automjeti dhe të një lokali.
Në kuadër të operacionit “Hija”, u arrestua 31-vjeçari I. J., banues në Krumë, Has. Sipas policisë, në orët e para të mëngjesit të 26 shtatorit, ai dyshohet se ka vjedhur me thyerje një automjet dhe më pas ka hyrë në një lokal, prej nga ka marrë sende, përfshirë një aparat celular.
Si prova materiale u sekuestruan automjeti i vjedhur, telefoni dhe një thikë.
Policia bën me dije se po vijon hetimet për dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve që dyshohet se janë kryer nga 31-vjeçari në Has dhe Durrës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës për veprime të mëtejshme.












