Ministri Hoxha takim me Kryetarin e Komisionit për Çështjet e BE-së në Bundestag: Gjermania mbështetëse e rrugëtimit evropian
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha priti mëngjesin e sotëm në Tiranë, Kryetarin e Komisionit për Çështjet e Bashkimit Evropian të Bundestagut gjerman, Anton Hofreiter.
Ministri njoftoi në rrjetin social X se diskutimi ishte një mundësi e vlefshme për të vlerësuar progresin e arritur të Shqipërisë përmes agjendës ambicioze të reformave, në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
“Gjermania ka qenë një nga mbështetëset më të forta dhe më të qëndrueshme të Shqipërisë gjatë gjithë këtij udhëtimi. Ne e vlerësojmë shumë mbështetjen e Gjermanisë për një proces zgjerimi të bazuar në meritë dhe udhëheqjen e saj në promovimin e një perspektive të besueshme evropiane për Ballkanin Perëndimor”, shkroi Hoxha në X.
Takimi riafirmoi gjithashtu marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Gjermanisë, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm midis dy vendeve tona, përfshirë shkëmbimet parlamentare.
Objektivi i përbashkët i bashkëpunimit, sipas Ministrit Hoxha, mbetet një Evropë më e fortë dhe më e bashkuar.




