
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas paralajmëroi se Moska po përgatit akte sabotimi, në fjalën e mbajtur përpara Këshillit për Çështjet e Mbrojtjes.
“Duhet të qëndrojmë vigjilentë, sepse nga informacionet tona të inteligjencës rezulton se Rusia po planifikon akte të tjera sabotimi dhe sulme kundër demokracive tona, me synimin për të përçarë dhe frikësuar shoqëritë tona dhe për t’i bindur ato që të mos vazhdojnë të ndihmojnë Ukrainën”, tha ajo.
“Ukraina ka nevojë urgjente për mbrojtje ajrore. Ne përsërisim thirrjen ndaj vendeve që disponojnë sisteme të tilla në rezervat e tyre, që të vlerësojnë mundësinë për t’ia ofruar ato Ukrainës”, u shpreh Kallas.
Lidhur me heqjen e oligarkëve Alisher Usmanov dhe Mikhail Fridman nga lista e sanksioneve, Kallas tha se kjo ishte “për të ardhur keq”.
“Por duhet të përqendrohemi te aspekti pozitiv, pra te fakti që 2,998 persona do t’i nënshtrohen sanksioneve për tre vjet. Dhe për t’i hequr ato, është e nevojshme që të gjithë të bien dakord”, shtoi ajo.
(A2 Televizion)