Dënimin e Hashim Thaçit dhe ish krerëve të tjerë të UÇK me 81 vite burg për krime luftë Kuvendi i Kosovës e cilësoi një dënim pa transparencë, i cili ka ngritur pretendime për shkeljen e standardeve të gjykimit.

“Kuvendi shpreh shqetësim për mungesën e transparencës dhe pretendimet për shkeljen e standardeve të gjykimit të drejtë, si dhe kundërshton përgjegjësinë që, mbi bazën e përfundimit për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal, u është atribuuar secilit prej të akuzuarve”, tha Albulena Haxhiu, Kryetare e Parlamentit të Kosovës

Deklarata e përbashkët e Parlamentit të Kosovës kundër vendimit të Hagës për ish krerët e UÇK, u miratua me 99 vota pro asnjë kundër dhe asnjë abstenim e dakordësuar nga të gjitha grupet parlamentare përveç atij të Listës Serbe. Ndër të tjera aty bëhet thirrje për një strategji konkrete për veprim, teksa rruga e mbrojtjes së Thaçit dhe të tjerëve ka marrë drejtimin e apelit.

“Të gjitha institucionet shtetërore të ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare. Kërkohet hartimi i një strategjie të përbashkët shtetërore, e cila do të përfshijë veprime juridike, institucionale dhe diplomatike”, tha Albulena Haxhiu, Kryetare e Parlamentit të Kosovës.

Një ndër qëndrimet më të forta në tekstin e deklaratës së përbashkët duket ai ndaj dhomave speciale dhe asaj që duket si konstatim për ligjshmërinë e veprimeve të tyre. 

"Kuvendi vlerëson se Dhomat e Specializuara kanë dalë jashtë mandatit për të cilin Kuvendi kishte pranuar themelimin e tyre. Përmes deklaratës, Kuvendi kundërshton çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës ose për të vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare”, tha Albulena Haxhiu, Kryetare e Parlamentit të Kosovës.

PDK ka depozituar pas vendimit të Hagës në parlamentin e Kosovës, një propozim për të ndërhyrë duke ngushtuar kompetencat e dhomave të specializuara në hagë.

Kreu i saj Bedri Hamza, ka kërkuar mbështetje për projektligjin si kusht për ofrimin e mbështetjes numerike për arritjen e kuorumit në seancën për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës që duhet të kryhet brenda javës së ardhshme, në të kundërt Kosova do të shkojë në zgjedhje të tjera.