TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ftesa e kryeministrit Edi Rama për një tryezë konsultimi mbi pagat e magjistratëve është refuzuar nga Gjykata e Lartë dhe dy shoqata të gjyqtarëve. Të treja argumentojnë se për sa kohë ligji i ri është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese, diskutimi për formulën e pagave duhet të presë vendimmarrjen e saj.
Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, njoftoi se institucioni që drejton nuk do të përfaqësohet në tryezë. Sipas tij, tashmë ka një zhvillim të ri nga momenti kur Rama bëri ftesën, pasi ligji i është nënshtruar kontrollit kushtetues dhe për këtë arsye fjalën duhet ta thotë fillimisht Gjykata Kushtetuese.
“Për një çështje kushtetuese tashmë të shtruar për gjykim, fjala i përket Gjykatës Kushtetuese. Për rrjedhojë, dialogu për këtë objekt mund të jetë substancial dhe efektiv pasi ajo të jetë shprehur”, tha Sadushi.
Të njëjtin qëndrim mban edhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë.
“Deri në një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me padinë e paraqitur nga shoqatat e magjistratëve, është e pamundur për ne pjesëmarrja në tryezën e konsultimit të datës 28 shtator 2026”, thuhet në përgjigje.
Edhe Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve ka vendosur të mos marrë pjesë. Ajo vlerëson se fillimisht Kushtetuesja duhet të qartësojë standardet mbi pagat dhe vetëm më pas mund të zhvillohet një diskutim me qeverinë për mekanizmin e ri.
“Shoqata vlerëson se nuk do të ishte e përshtatshme pjesëmarrja e saj në një diskutim institucional mbi të njëjtën çështje përpara përfundimit të këtij procesi”, thotë Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve.
Shoqatat e ndryshme të magjistratëve iu kundërvunë hapur qasjes së shumicës, e cila nuk ndërmori asnjë veprim që të miratonte një formulë të re brenda 31 korrikut të këtij viti, siç udhëzonte Gjykata Kushtetuese. KLGJ dhe KLP ndërmorën vendime të posaçme duke miratuar ato vetë nivelin e pagave për muajin gusht, duke iu referuar vendimit të GJK. Situata çoi në një përplasje mes ekzekutivit dhe institucioneve të Drejtësisë.
Ministria e Financave nuk miratoi veprimet e Thesarit për kalimin e pagave sipas vendimeve të KLGJ dhe KLP-së. Magjistratët u përgjigjën duke kallëzur në SPAK, ministrin e Financave dhe duke vënë në lëvizje gjykatën administrative e cila urdhëroi anullimin e vendimit të ministrit, dhe kalimin e pagave për gjykatat e prokuroritë në të gjithë vendin.
Në parlament, shumica miratoi më 18 shtator, me 84 vota pro formulën e re të pagave të magjistratëve që përcakton se paga referuese e magjistratëve do të jetë sa 38% e pagës së Presidentit të Republikës nga 36% që ishte, me një rritje prej rreth 8500 lekësh. Rritja me 8500 lekë e pagës referencë është 9-fish më e vogël se ajo që vetë magjistratët thonë se ka vendosur GJK. Tre ditë më pas, më 21 shtator, shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve dorëzuan në Kushtetuese kërkesën për pezullimin e formulës së miratuar nga parlamenti dhe shfuqizimin e saj.