Pagat e magjistratëve/ Gjyqtarët dhe prokurorët refuzojnë tryezën e Ramës: Presim vendimin e Kushtetueses
Ftesa e kryeministrit Edi Rama për një tryezë dialogu mbi pagat e magjistratëve ka hasur në një përgjigje negative nga pjesa më e madhe e aktorëve të sistemit të drejtësisë.
Dy shoqatat e gjyqtarëve kanë bërë me dije se nuk do të marrin pjesë në takimin e parashikuar për sot, 28 shtator, ndërsa të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe Shoqata e Prokurorëve, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Parimisht, pjesëmarrjen në tryezë e ka konfirmuar Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Takimi i thirrur nga Rama synon diskutimin për përcaktimin e pagave në sistemin e drejtësisë sipas standardeve europiane, si dhe përmirësimin e statusit të magjistratëve.
Por për shoqatat e gjyqtarëve, momenti nuk është i përshtatshëm për një konsultim të tillë, pasi çështja e pagave është tashmë pjesë e një procesi kushtetues që nuk ka përfunduar ende.
Në përgjigjen drejtuar kryeministrit, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë thekson se nuk është kundër dialogut institucional dhe se mbetet i gatshëm për komunikim.
Pas ndryshimeve të miratuara nga Kuvendi, shoqatat e magjistratëve e kanë kundërshtuar mënyrën e zbatimit të vendimit dhe çështja është rikthyer për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Pikërisht për këtë arsye, Unioni i Gjyqtarëve argumenton se duhet pritur vendimmarrja e Kushtetueses përpara se të diskutohet në një tryezë institucionale një çështje që është aktualisht objekt shqyrtimi gjyqësor.
“Deri në një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me padinë e paraqitur nga shoqatat e magjistratëve, është e pamundur për ne pjesëmarrja në tryezën e konsultimit të datës 28 shtator 2026”, thuhet në përgjigjen e Unionit.
Megjithatë, gjyqtarët theksojnë se mospjesëmarrja nuk duhet të interpretohet si mbyllje e dialogut institucional. Ata shprehen të gatshëm të vijojnë komunikimin me qeverinë në një moment të përshtatshëm, pas qartësimit të situatës nga Gjykata Kushtetuese.




