Lajmi i fundit

PD zbardh agjendën e kryedemokratit Sali Berisha në Strasburg dhe PE

Marrëdhënia Turqi-Greqi - Sërish dallgë në Egje?

Marrëdhënia Turqi-Greqi - Sërish dallgë në Egje?

08:59, 28/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Akuza të dyanshme: Greqia ankohet për shkelje të hapësirës së saj ajrore nga Turqia, presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan i kërkon Greqisë t'i japë fund "militarizimit"

Greqia dhe Turqia akuzojnë njëra-tjetrën se janë përgjegjëse për rritjen e tensioneve mes dy vendeve. Bëhet fjalë për ujërat territoriale, pretendimet e sovranitetit dhe ndikimin në rajonin e Mesdheut.

Është një përshkallëzim i vazhdueshëm akuzash nga të dyja palët: Greqia ankohet për shkelje të hapësirës së saj ajrore nga Turqia, për zonat detare turke që, sipas saj, janë të paligjshme, si dhe për dislokimin e trupave turke pranë bregdetit. Nga ana tjetër qëndron presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, i cili i kërkon Greqisë t’i japë fund "militarizimit" të ishujve të saj. Ndërsa ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, e cilëson këtë si një kërcënim për sigurinë e Turqisë.

Greqia po forcon armatimin

Meri Bossi, profesoreshë e nderuar e Sigurisë Ndërkombëtare në Universitetin e Pireut, paralajmëron për një epokë të re: "Po shohim një përshkallëzim në rritje dhe një retorikë kërcënuese si nga Turqia, ashtu edhe nga Greqia. E gjithë kjo, së bashku me mjedisin e pasigurt rajonal dhe ndërkombëtar, mund të bëjë që këto tensione të arrijnë në një pikë edhe më ekstreme."

Qeveria greke duket se po mbështetet te parandalimi përmes forcës ushtarake. Parimi është: kush dëshiron paqen, duhet të jetë i përgatitur për luftë. Në fund të gushtit, Greqia nënshkroi me Izraelin një kontratë armësh me vlerë miliarda euro, të quajtur "Mburoja e Akilit". Në kuadër të saj, Greqia do të pajiset me një sistem të avancuar të mbrojtjes ajrore, ndërsa njëkohësisht po investon edhe në industrinë e vet të mbrojtjes.

Pak vëmendje në Evropë për konfliktin

Sipas analistit dhe gazetarit grek John Psaropoulos, këto masa kanë të bëjnë vetëm me vetëmbrojtjen: "Nga këndvështrimi grek, destabilizimi i rajonit përreth Ukrainës dhe tani edhe në Gjirin Persik dhe Detin e Kuq është një lajm i keq për përpjekjet për të frenuar konfliktin me Turqinë."

Sipas tij, këto konflikte kanë krijuar "një atmosferë paligjshmërie", në të cilën lufta është normalizuar. Gazetari Psaropoulos ankohet se konflikti me Turqinë gjen pak vëmendje në Evropë dhe në Gjermani. Por sa më gjatë të mbeten konfliktet të pazgjidhura, aq më i madh është rreziku që në afatgjatë të lindin probleme serioze. "Greqia e sheh Turqinë si një Rusi të mundshme. Të njëjtin perceptim kërcënimi që Evropa ka sot ndaj Rusisë, Greqia e ka prej kohësh ndaj Turqisë", thotë ai.

Një perceptim që rrjedh nga historia e konfliktit që nga periudha osmane. Ronald Meinardus, i cili ka doktoruar mbi këtë temë, aktualisht bashkëpunëtor shkencor në institutin kërkimor athinas ELIAMEP shprehet, se "palët nuk bien dakord as për atë se çfarë është në të vërtetë objekt i mosmarrëveshjes, sdhe as për mënyrën se si duhen zgjidhur këto çështje të debatueshme," thotë ai. Kjo, Sipas Meinardus, sjell që konflikti të mbetet në vendnumëro, pa ndonjë përparim drejt zgjidhjes.

Turqia kërkon të ndryshojë status quo-në

Për qeverinë greke, për shembull, çështja e zgjerimit të ujërave territoriale rreth ishujve të Egjeut deri në dymbëdhjetë milje detare konsiderohet e zgjidhur. Në fund të fundit, një të drejtë të tillë e parashikon Konventa e OKB-së për të Drejtën e Detit. Megjithatë, parlamenti turk ka vendosur që në vitin 1995 se, nëse Greqia e zbaton vërtet këtë hap, Turqia do ta konsiderojë atë si shkak për luftë.

Frika e Ankarasë është se, për shkak të numrit të madh të ishujve grekë, hapësira e ujërave ndërkombëtare në Detin Egje do të zvogëlohej ndjeshëm, duke kufizuar në mënyrë drastike lundrimin dhe qarkullimin detar turk.

Megjithatë, ka edhe shumë çështje të tjera mosmarrëveshjeje. Turqia, për shembull, flet për disa "zona gri", ku sovraniteti mbi disa ishuj dhe shkëmbinj të pabanuar, sipas saj, nuk është përcaktuar qartë. Nga këndvështrimi grek, statusi i këtyre territoreve është i rregulluar dhe i padiskutueshëm.

Vëzhguesi Ronald Meinardus sheh këtu një strategji të qëllimshme të Turqisë për të zgjeruar listën e çështjeve në konflikt: "Sa më e vogël të jetë shporta e mosmarrëveshjeve, aq më e vogël është mundësia të përfitosh diçka prej saj. Por sa më shumë çështje të hedhësh brenda, aq më e madhe është mundësia të nxjerrësh diçka në favorin tënd", përshkruan ai strategjinë turke.

Sipas Meinardus, status quo-ja aktuale është në interes të Greqisë. "Dhe pikërisht këtë status quo kërkon ta ndryshojë Turqia. Turqia është një fuqi revizioniste", thotë ai.

Politologu turk e sheh situatën si një "konflikt familjar"

Vëzhguesit grekë i referohen, për shembull, doktrinës turke të "Atdheut Blu" (Mavi Vatan), e cila pritet të diskutohet së shpejti në parlament. Ajo parashikon zgjerimin e ndjeshëm të zonave të ndikimit të Turqisë në Mesdhe. Kritikët e konsiderojnë këtë një projekt neo-osman me synime ekspansioniste.

Megjithatë, politologu Hüseyin Bağcı nga Ankaraja përpiqet të qetësojë situatën: "Mes Turqisë dhe Greqisë nuk mund të ketë një përplasje ushtarake, sepse të dyja vendet janë anëtare të NATO-s dhe nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë. Ky është një konflikt familjar dhe duhet të zgjidhet brenda NATO-s, por edhe brenda Bashkimit Evropian."

Motive të politikës së brendshme?

Fakti që Turqia ka dërguar rreth 2.000 ushtarë në rajonin bregdetar në jug të Izmirit është, sipas vëzhguesve, një sinjal se Ankaraja është e gatshme të përdorë forcën ushtarake. Megjithatë, politologu Hüseyin Bağcı beson se presidenti Erdoğan nuk është i interesuar për një luftë.

Shumë zhvillime, bien dakord ekspertët, janë të motivuara nga politika e brendshme. Në pranverë mbahen zgjedhje në Greqi dhe kryeministri Kyriakos Mitsotakis nuk dëshiron të japë përshtypjen e një lideri të dobët. Një gjë është e sigurt: koha e "ujërave të qeta", siç u quajt periudha e relaksimit të marrëdhënieve pas vizitës së Erdoğanit në Athinë në vitin 2023, ka marrë fund./DW/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco