Tre operacione policore janë finalizuar gjatë 24 orëve të fundit në qarkun e Kukësit, duke çuar në pranga tre persona. Sipas Policisë, janë goditur raste të armëmbajtjes pa leje, kultivimit të bimëve narkotike dhe vjedhjeve me thyerje. Në Tropojë, në kuadër të operacionit të koduar “Befasia”, policia arrestoi 45-vjeçarin E. M., banues në Markaj. Gjatë kontrollit të banesës, u gjet dhe sekuestrua një armë zjarri automatike dhe municion luftarak.
Po në Tropojë, në kuadër të operacionit “Weekend”, u arrestua në flagrancë 38-vjeçari S. H., i dyshuar për kultivim të bimëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje. Sipas Policisë, gjatë kontrollit në një zonë të pyllëzuar në territorin e Njësisë Administrative Tropojë e Vjetër, u konstatuan 42 bimë narkotike kanabis, të cilat dyshohet se ishin kultivuar nga 38-vjeçari.
Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet një pistoletë me krehër dhe 9 fishekë. Ndërsa në banesë u sekuestruan një armë gjahu, municion dhe një armë e ftohtë, thikë.
Ndërkohë, në Kukës, policia ka zbardhur dy raste të vjedhjes me thyerje, konkretisht të një automjeti dhe të një lokali. Në kuadër të operacionit “Hija”, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, u arrestua 31-vjeçari I. J., banues në Krumë, Has. Sipas hetimeve, në orët e para të mëngjesit të 26 shtatorit 2026, 31-vjeçari dyshohet se ka vjedhur me thyerje një automjet, ndërsa më pas ka hyrë me forcë në një lokal, prej nga ka marrë sende me vlerë, përfshirë një aparat celular. Policia sekuestroi automjetin e vjedhur, celularin dhe një thikë.
Lini një Përgjigje