Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u pa sot duke u larguar nga Kuvendi dy orë përpara seancës plenare, e cila pritet të nisë në orën 11:00.
Të lidhura
None found
Para se të largohej, Kurti u pyet për takimin e mbrëmshëm me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, por nuk pranoi të komentojë.
Nga Kuvendi drejt Qeverisë, bashkë me Kurtin, u nis edhe ministri i Financave, Hekuran Murati. Ai kishte marrë pjesë në negociatat e zhvilluara nga kreu i Vetëvendosjes me LDK-në për çështjen e presidentit.
Në seancën plenare të sotme, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të shqyrtojnë një sërë çështjesh, përfshirë miratimin e Deklaratës për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të datës 16 shtator.
Seanca është caktuar të fillojë në orën 11:00. Në rendin e ditës janë gjithashtu miratimi i procesverbaleve të seancave të kaluara dhe betimi i deputetëve.
Deputetët pritet të votojnë edhe për nënkryetarin e Kuvendit nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, si dhe të shqyrtojnë krijimin e komisioneve parlamentare, të domosdoshme për funksionimin e legjislativit.
