Përplasja për pagat, Unioni i Gjyqtarëve: Nuk do të marrim pjesë në takimin me Ramën
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë nuk do të marrë pjesë në tryezën e thirrur ditën e sotme nga kryeministri Edi Rama.
Kryeministri thirri një tryezë diskutimi sot në 12:30, pas tensioneve të krijuara mes përfaqësuesve të gjyqësorit dhe ekzekutivit lidhur me pagat e magjistratëve.
Përmes një deklarate zyrtare të Bordit Drejtues, UGJSH sqaron se, ndonëse e vlerëson dialogun institucional si mjet për gjetjen e zgjidhjeve kushtetuese, pjesëmarrja në këtë konsultim është e pamundur në kushtet kur çështja e pagave është ende në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Gjyqtarët theksojnë se padia e paraqitur prej tyre kundërshton ndryshimet ligjore të fundit dhe kërkon zbatimin pa diskutim të vendimit të Gjykates Kushtetuese, i cili përcakton standartin minimum të pagës dhe mekanizmin e qëndrueshëm për të ardhmen.
“UGJSH e konsideron të nevojshme ruajtjen e pacenuar të kufijve të juridiksionit kushtetues të kësaj Gjykate, parimet që garantojnë objektivitetin e paanshmërinë e saj, si dhe parimet që garantojnë funksionimin e një shteti të së drejtës,” thuhet në deklaratë.

