
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ka folur sërish për efektin ekonomik të koncertit të mbajtur nga reperi amerikan Kanye West në Tiranë më 11 korrik. Pavarësisht se disa muaj më parë, Gonxhe deklaronte se priste që koncerti të sillte deri në 120 milionë euro të ardhura, në emisionin “E Zone”, ministri ka deklaruar se shpenzimi i qeverisë prej 4.2 milionë eurosh të dhëna për koncertin, u shpërblye me 6 milionë euro të ardhura në arkën e shtetit vetëm nga taksat direkte.
“Vetëm në këtë rast, nga 4.2 milionë eurot e shpenzuara, vetëm taksat direkte nga qarkullimi i xhiros, hotele, transport, gastronomi, blerje e të tjerë, kanë lënë në arkat e shtetit mbi 6 milionë euro”, deklaroi ai.
I pyetur nëse shteti kishte dalë me fitim nga organizimi i eventit, Gonxhja u përgjigj:
“Po, për 4-5 ditë pas atij shpenzimi, paratë u rikthyen në arkat e shtetit. Eventet e mëdha, si në Madrid apo Silverstone, lëvizin qindra mijëra njerëz dhe i japin hov ekonomisë.”
Më herët ai kishte fajësuar protestuesit kundër qeverisë për “emergjencën” e krijuar në pagesën që shteti duhej të bënte që koncerti të mos dështonte. Versus.al

