
Avokatët nisin këtë të hënë zyrtarisht bojkotin e seancave në Gjykatën e Posaçme dhe shprehen se nuk do të përfaqësojnë mbrojtjen e asnjë personi, nëse nuk rishikohet rregullorja e miratuar javët e fundit, mes shumë kontestimesh.
Mbrojtja e personave të akuzuar dhe atyre të marrë të pandehur, më parë kishte bojkotuar gjyqet e themelit, ndërsa sot ka nisur zyrtarisht bojkotimi edhe i të gjitha seancave për masat e sigurisë.
Është e paqartë se çfarë do të ndodhë me togat e zeza, sepse masat e sigurimit kanë afat, ndërkohë që sipas kalendarit të Gjykatës së Posaçme, sot parashikohet të zhvillohen gjyqet e disa prej politikanëve më të rëndësishëm të vendit, por edhe të eksponentëve të lartë të krimit.
Konkretisht, sot është caktuar të zhvillohet gjyqi për ish-presidenti Ilir Meta, me gjyqtare Etleva Dedën; gjyqi ndaj liderit demokrat Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, drejtuar nga gjyqtarja Elsa Ulliri.

Gjithashtu, këtë të hënë parashikohet seanca edhe për kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, ish-deputetin Plarent Ndreca, kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci dhe kryebashkiakun socialist të Tropojës, Rexhë Byberi.
Sipas kalendarit të punimeve të Gjykatës së Posaçme, sot në seancë do të jenë edhe eksponentë të lartë të krimit të organizuar, si Viktor Ymer Bajraktari, Emiljano Shullazi, grupi i Shijakut që akuzohet për zhdukjen e Jan Prengës, Plarent Dervishaj, Indrit Taullai, Lul Berisha dhe Leonard Duka.

