E hënë, 28 Shtator 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Uncategorized

Mbushën me kanabis gjimnazet në “zemër” të Tiranës, detaje nga operacioni “Shkollat e pastra”, si funksiononte rrjeti

Një megaoperacion i Policisë së Tiranës, i koduar “Shkollat e pastra”, ka çuar në arrestimin e 31 personave, pas një hetimi katërmujor për goditjen e grupeve që dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike pranë shkollave dhe gjimnazeve të kryeqytetit.

Gazetari Esido Barkaj, duke raportuar në emisionin “7pa5” në Vizion Plus, bëri me dije se hetimet nisën pas denoncimeve të prindërve dhe institucioneve arsimore. Në total, sipas të dhënave të bëra publike, në hetim janë përfshirë 52 persona, ndërsa 14 prej tyre vijojnë të jenë në kërkim me masën e sigurisë “arrest me burg”.

Sipas burimeve, personat e arrestuar dhe të shpallur në kërkim vepronin në të paktën 8 grupe, të shtrira në zona të ndryshme të Tiranës, përfshirë Laprakën, Brakën, Jordan Misjan, Selitën, Yzberishtin, Alliasin, Tregun Elektrik dhe Qytetin Studenti.

Në secilin prej grupeve ishin identifikuar rreth 3 deri në 4 persona që merreshin me shitjen e lëndëve narkotike. Sipas skemës së dokumentuar nga hetuesit, kur njëri prej grupeve nuk kishte lëndë narkotike në dispozicion, klientët adresoheshin te grupet e tjera, duke ruajtur kështu vijimësinë e aktivitetit.

Një pjesë e rëndësishme e hetimit lidhet me shpërndarjen e lëndëve narkotike pranë institucioneve arsimore. Aktiviteti është dokumentuar, sipas burimeve, përmes agjentëve të infiltruar dhe blerjeve të stimuluara, veçanërisht për rastet e shitjeve në afërsi të shkollave.

Në fokus të hetimeve kanë qenë disa prej gjimnazeve të njohura të kryeqytetit, mes tyre “Qemal Stafa”, “Ismail Qemali”, “A.Z. Çajupi”, “Sami Frashëri” dhe Shkolla e Mesme Profesionale Ekonomike.

Shpërndarësit dyshohet se përdornin mënyra të ndryshme për të mos tërhequr vëmendjen. Ata lëviznin me monopatina, taksi, si dhe me mjete të shërbimit “delivery”, duke u kamufluar si shpërndarës ushqimesh.

Hetimi ka goditur edhe 5 persona të dyshuar si furnizues të rrjetit, të cilët, sipas burimeve, kishin rol në sigurimin e heroinës dhe kokainës dhe furnizimin e grupeve që merreshin me shpërndarjen.

Policia ka përdorur gjithashtu pamje të siguruara me dron, përgjime dhe metoda të tjera hetimore për dokumentimin e aktivitetit të dyshuar kriminal. Hetimi vijon dhe nuk përjashtohen zhvillime të tjera në ditët në vijim.

/vizionplus.tv

Më shumë video

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.