
Pas vendimit të Unionit të Gjyqtarëve për të mos marrë pjesë në tryezën e konsultimit të thirrur nga Rama, Kryeministria u është përgjigjur përmes një email-i.
Ekzekutivi shprehet se e mirëkupton kërkesën për shtyrjen e takimit, por thekson se dialogu ndërinstitucional duhet të jetë i pavarur nga proceset gjyqësore paralele.
Në reagim nënvizohet se, pavarësisht mospjesëmarrjes së magjistratëve në këtë tryezë, puna për reformën e pagave në sistemin e drejtësisë do të vijojë menjëherë.
"Dëshirojmë t'ju bëjmë me dije se duke filluar nga dita e nesërme, do të vijojmë punën për hartimin e ligjit të ri mbi pagat, mbi të cilin ishte përgatitur edhe një parashtrim i përgjithshëm, me synimin për ta shtruar si pjesë të diskutimit dhe dialogut të përbashkët gjatë takimit," thuhet në deklaratë.
Ndërkohë, qeveria konfirmon se mbetet e hapur për vijimin e dialogut dhe për dakordësimin e një date tjetër për zhvillimin e takimit me përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë, sapo të gjendet një moment i përshtatshëm për palët. (A2 Televizion)