Nafta në kulmin e konsumit? - Zhdoganohen mbi 78 mijë ton në Gusht, rritet importi i kafesë dhe birrës

28 Shtator 2026, 10:30Ekonomia TEMA
Nafta në kulmin e konsumit? - Zhdoganohen mbi 78 mijë ton në

Importi i karburanteve ka arritur shifrën më të lartë gjatë këtij viti në muajin Gusht, çka lidhet drejtpërdrejt edhe me sezonin turistik, ardhjen e emigrantëve si dhe rritjen e lëvizshmërisë. 


Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave,  tregojnë se nëse 5 muajt e parë të vitit janë regjistruar vlera importi në një mesatare prej rreth 50 mijë ton në muaj, nga Qershori dhe në vijim zhdoganimet e karburanteve kanë ardhur në rritje, duke arritur kulmin në Gusht. 

Konkretisht gjatë muajit që lamë pas u zhdoganuan 78.4 mijë ton karburante nga 73.7 mijë ton që u importuan në Gusht 2025, duke rezultuar me një rritje prej 4730 mijë ton.  

Megjithatë, pavarësisht rritjes së zhdoganimeve dhe konsumit gjatë sezonit veror, shifra totale si 8 mujor mbetet më e ulët se ajo e një vitit më parë, për shkak të rënies së importeve në muajt e parë të vitit si rrjedhojë e rritjes së çmimeve.  

Nëse do të bëjmë një krahasim si 8-mujor, vihet re se për Janar-Gusht 2026 janë importuar 486,4 mijë ton karburante dhe rreth 3469 ton më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë.  

Për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, muaji Mars dhe në vijim solli një rritje të ndjeshme të çmimit të naftës dhe benzinës në vend,  duke arritur në nivele rreth 224 lekë/litër,  duke nxitur vënien në funksion të Bordit të Transparencës me qëllim përcaktimin e çmimeve tavan të shitjes me shumicë dhe pakicë.  Çmimet u stabilizuan në muajin Qershor dhe Korrik, për t’iu rikthyer sërish rritjes në muajin Gusht, duke vijuar edhe përgjatë muajit Shtator, çka solli sërish aktivizimin e Bordit të Transparencës. 

Sa i takon mallrave të tjerë të akcizës,  vihet re se për muajin Gusht importi i cigareve është në të njëjtën nivel si një vit më parë, ndërsa kafeja dhe birra regjistrohet me rritje. .

Konkretisht janë importuar 345 ton cigare,  643  ton kafe,  me rritje prej 62 ton në raport me Gusht 2025.

Importi i birrës gjithashtu është rritur, ku u zhdoganuan 8.3 mijë tonë, nga 7.2 mijë ton në Gusht të 2025. 

Ndërsa si 8-mujor, importi i cigareve, kafesë dhe birrës rezultojnë në rritje të lehtë në raport me një vit më parë. 

Lini një Përgjigje