Të paktën 8 grupe dyshohet se fshihen pas 52 shpërndarësve të drogës të identifikuar nga Policia e Tiranës. Burime për Report Tv, thonë se secili nga grupet me të paktën 3 ose 4 anëtarë, vepronin më vete në zonat e tyre të influencës.
I vetmi bashkëpunim mes tyre, lidhej kur droga mbaronte. Atëherë, njëri grup i kërkonte grupeve të tjera ta furnizonin me lëndë narkotike. 5 persona mes të arrestuarve, janë furnizues të rrjeteve të shpërndarjes, të cilët siguronin heroinën dhe kokainën
Një prej furnitorëve të identifikuar, është Ferit Xhani, alias “Luzi”, i njohur për policinë, me precedent penal për drogë dhe plagosje. Shumica synonin shpërndarjen pranë shkollave, si 9-vjeçaret ashtu edhe gjimnazet. Policia, në mesin e 31 personave që arrestoi, disa i kapi duke shitur drogë pranë dyerve të shkollave, që do të thotë se lëndët narkotike po e marrin edhe minorenët.
Për të mos rënë në sytë e policisë, grupet e shpërndanin drogën me monopatina, taksi, ose me motor picash. Mes tyre dyshohet të jetë edhe ish-efektivi i policisë, Engrid Henaj, i përjashtuar nga blutë për vjedhje që në 2017-ën.
Zona të tjera të preferuara për shpërndarësit, ishin Lapraka, Braka, pranë burgut “313”, Selita, Yzberishti, Tregu Elektrik dhe Qyteti Studenti, thuajse një shpërndarje në pjesën më të madhe të Tiranës.
Për të goditur këto grupe, agjentë të infiltruar bënë blerje të simuluara. Në kërkim vijojnë të jenë 14 persona, ndërsa 7 të tjerë janë arrestuar gjatë fazës së hetimeve 4 -mujore.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë






Komente
Komento