
Detaje të reja dalin nga operacioni antidrogë i zhvilluar në Tiranë, për goditjen e rrjetit që shpërndante lëndë narkotike, veçanërisht pranë shkollave.Sipas burimeve, personat e arrestuar dhe të shpallur në kërkim vepronin në të paktën 8 grupe të ndryshme, të shtrira në disa zona të Tiranës.
Një grup vepronte në Laprakë, një tjetër në zonën e Brakës dhe Jordan Misjes, ndërsa grupe të tjera shtrinin aktivitetin në Selitë, Yzberisht, Allias, si dhe në zonën e Tregut Elektrik dhe Qytetit Studenti. Në secilin prej këtyre grupeve janë identifikuar nga 3 deri në 4 persona që merreshin me shitjen e lëndëve narkotike.
Një nga veçoritë e këtij rrjeti ishte bashkëpunimi mes grupeve. Kur njëri prej tyre nuk dispononte lëndë narkotike, klientët adresoheshin te grupet e tjera, duke vijuar në këtë mënyrë shpërndarjen.
Për dokumentimin e aktivitetit kriminal, hetuesit kanë përdorur agjentë të infiltruar dhe blerje të stimuluara, veçanërisht për të dokumentuar shitjet e lëndëve narkotike pranë institucioneve arsimore. Në kuadër të hetimit janë goditur edhe pesë furnizues të grupeve, të dyshuar për sigurimin e heroinës dhe kokainës që më pas shpërndahej në zona të ndryshme të Tiranë.