Aktualitet

Siguria pas arrestimit të Vlora Hysenit, në fokus të Këshillit të Sigurisë Kombëtare!

Drejtuesit e shtetit, si dhe të institucioneve kryesore të sigurisë u mblodhën për gati 1 orë e gjysmë në Pallatin e Brigadave. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj thirri mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare pas arrestit në shtëpi për ish-drejtoreshën e SHISH-it, Vlora Hyseni.

Në fokus, situata e sigurisë kombëtare dhe siguria e informacionit të klasifikuar.

Ligji përcakton qartë se cilët janë anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, i kryesuar nga Presidenti i Republikës. Në mbledhje ishte edhe kryeministri Edi Rama, i kthyer dje në Shqipëri pas vizitës 6-ditore në SHBA.

Rama bëri të qartë se Hyseni do ta ketë e vetme përballjen me drejtësinë, por e cilësoi “ekstreme” masën ndaj saj, duke argumentuar se SHISH-i u ekspozua ndaj një dëmi të madh që sipas tij duhej të parandalohej.

Kryeministri theksoi se një hetim penal ndaj drejtuesit të Shërbimit Informativ Shtetëror nuk është vetëm çështje e drejtësisë, pasi mund të prekë edhe sigurinë kombëtare e interesat e shtetit.

Për këtë arsye, u shpreh se në Këshillin e Sigurisë Kombëtare duhet të diskutohet se çfarë garancish nevojiten për të mbrojtur institucionet e sigurisë dhe informacionin e klasifikuar kur drejtuesit e tyre bëhen subjekt i hetimeve penale.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.