Detaje të reja nga operacioni i një dite më parë për goditjen e shpërndarësve të drogës që vepronin pranë shkollave në kryeqytet.
Sipas burimeve, personat e arrestuar dhe ata të shpallur në kërkim në operacionin e një dite më parë me 31 të arrestuar, dyshohet se vepronin përmes të paktën 8 grupeve në disa zona të Tiranës, përfshirë Laprakën, Brakën, Jordan Misjen, Selitën, Yzberishtin, Alliasin, Tregun Elektrik e Qytetin Studenti.
Në secilin prej këtyre grupeve janë identifikuar nga 3 deri në 4 persona të dyshuar si shitës të lëndëve narkotike. Sipas hetimeve, kur njëri prej grupeve nuk kishte më lëndë narkotike në dispozicion, klientët orientoheshin drejt grupeve të tjera të rrjetit.
Aktiviteti i tyre u dokumentua përmes agjentëve të infiltruar dhe blerjeve të stimuluara, me fokus të veçantë te shitjet e lëndëve narkotike në afërsi të shkollave. Në kuadër të hetimit, autoritetet kanë goditur edhe 5 persona të dyshuar si furnizues të rrjetit, të dyshuar se siguronin heroinën dhe kokainën për shpërndarje.
Një prej furnitorëve të identifikuar, është Ferit Xhani, alias Luzi, i njohur për policinë, me precedent penal për drogë dhe plagosje. Me rol kryesor në rrjet, vepronte edhe ish-efektivi Engrid Henaj, i përjashtuar nga policia për vjedhje.
Shpërndarësit kamufloheshin me monopatina ose e dërgonin drogën përmes taksive e shërbimeve “delivery”. 7 persona u arrestuan gjatë 4 muajve hetime, ndërsa në kërkim janë edhe 14 të tjerë.