Aktualitet

Nuk ka tryezë për pagat/ Pas refuzimit të magjistratëve, përgjigjja e Kryeministrisë!

Shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, GJKKO-ja e Gjykata e Lartë refuzuan tryezën e thirrur për sot nga kryeministri Edi Rama, për të diskutuar një skemë të re të pagave. Magjistratët deklarojnë se janë të hapur për dialog, por vetëm pasi të ketë vendim nga Gjykata Kushtetuese, për ligjin e miratuar nga Kuvendi.

Kryeministria lë të hapur mundësinë për zhvillimin e takimit në një datë tjetër, por bën të qartë se puna për hartimin e ligjit të ri për pagat do të vijojë, duke nisur nga nesër.

Duke ju falënderuar për komunikimin dhe sqarimet e përcjella lidhur me kërkesën për shtyrjen e takimit të sotëm, mirëkuptojmë këtë kërkesë, ndonëse vlerësojmë se dialogu dhe bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet aktorëve të ndryshëm të sistemit të drejtësisë mbetet i rëndësishëm dhe në parim, i pavarur nga procese të tjera që mund të zhvillohen paralelisht.

Në çdo rast, mbetemi të hapur për vijimin e dialogut dhe për dakordësimin e një date tjetër për zhvillimin e takimit.

Dëshirojmë t’ju bëjmë me dije se duke filluar nga dita e nesërme, do të vijojmë punën për hartimin e ligjit të ri mbi pagat, mbi të cilin ishte përgatitur edhe një parashtrim i përgjithshëm, me synimin për ta shtruar si pjesë të diskutimit dhe dialogut të përbashkët gjatë takimit.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin, mbetemi në pritje të dakordësimit për një datë të përshtatshme për vijimin e dialogut, thuhet në përgjigje.

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.