“95% e shqiptarëve e duan BE-në”, Schieder: Çështja nuk është të hapen kapitujt, por të mbyllen
TIRANË – Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, deklaroi se Shqipëria ka bërë përparim në procesin e integrimit europian dhe se tashmë vendi ndodhet në një fazë të rëndësishme të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Gjatë Konferencës Ndërparlamentare me temë “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, Schieder vlerësoi potencialin e Shqipërisë, duke theksuar njëkohësisht sfidat që lidhen me procesin e integrimit.
“Shqipëria ofron kaq shumë mundësi. Politika në Shqipëri ofron mjaft sfida, por edhe vendi ofron shumë mundësi në të njëjtën kohë. Ky është një vend i përkryer, por nuk kam ardhur të bëj reklama turistike”, u shpreh ai.
Schieder tha se zgjerimi i Bashkimit Europian nuk duhet parë vetëm si një projekt për të ardhmen, por si një proces që, sipas tij, i shërben të gjithë kontinentit.
“Arsyeja kryesore se pse jemi përfshirë në procesin e zgjerimit është sepse ende besoj që zgjerimi i BE-së nuk është vetëm një projekt i së ardhmes, por diçka që e meriton i gjithë kontinenti”, deklaroi raportuesi për Shqipërinë.
Ai pranoi se procesi i zgjerimit ka zgjatur, por theksoi se kjo duhet të shërbejë si shtysë për përfundimin e tij.
“Ka shkuar pak gjatë, por kur gjërat shkojnë gjatë, kjo shërben si arsye më e mirë për t’i përfunduar gjërat”, tha Schieder.
Duke folur për mbështetjen e qytetarëve shqiptarë për integrimin europian, Schieder tha se rreth 95% e popullsisë është pro anëtarësimit në BE.
“Këtu në Shqipëri kemi 95% të popullatës që është pro BE-së. Të gjithë e shohin përparimin e Shqipërisë. Patjetër që duhet t’i shohim të gjitha çështjet”, u shpreh ai.
Schieder renditi disa prej fushave ku Shqipëria duhet të vijojë punën, duke përmendur shtetin e së drejtës dhe procesin e vettingut, reformat ekonomike e mjedisore, si dhe zbatimin e standardeve europiane në jetën e përditshme.
“Shteti i së drejtës, ku Shqipëria 10 vite më parë ndërmori një proces shumë të rëndësishëm, të vettingut. Reformat ekonomike, reformat mjedisore, por edhe zbatimi i standardeve mjekësore europiane në standardet e përditshme shqiptare”, tha ai.
Raportuesi europian vuri në dukje gjithashtu sigurinë dhe politikën e jashtme, duke theksuar se Shqipëria është në përputhje me Bashkimin Europian në këto fusha.
“Patjetër, siguria dhe politika e jashtme, ku Shqipëria është në përputhje me BE-në”, deklaroi Schieder.
Sipas tij, sfida nuk lidhet vetëm me hapjen e kapitujve të negociatave, por me përmbushjen e kushteve për mbylljen e tyre.
“Çështja nuk është të hapen vetëm kapitujt, ata kapituj duhen mbyllur. Tani jemi në fazën e fundit”, u shpreh ai.
Në përfundim, Schieder deklaroi se Shqipëria duhet të synojë anëtarësimin në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade.
“Shqipëria meriton të jetë anëtare e BE-së para fundit të kësaj dekade”, përfundoi raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian.




