“Ursula ka 7 fëmijë, BE-ja ka 7 kandidatë”, Rama bën paralelizmin: Ajo nuk i tha vajzës shko me gangsterin rus te cepi
Kryeministri Edi Rama ka përdorur një metaforë familjare për të përshkruar procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian dhe raportin mes vendeve anëtare dhe vendeve kandidate.
Në Konferencën Ndërparlamentare për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë, Rama iu referua presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe 7 vendeve kandidate për anëtarësim.
Rama vijoi metaforën duke përmendur marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën, duke thënë se fëmijët e Ursulës nuk janë lënë të shkojnë “te cepi” apo të luajnë me “lodra kineze”, por janë rritur të gjithë rreth së njëjtës tryezë.
“7 fëmijë ka Ursula dhe BE-ja ka 7 kandidatë. Fëmijët e Ursulës nuk u rritën në lagje, u rritën rreth tavolinës. Ajo nuk i tha vajzës: “Shko dhe kalo ca kohë me gangsterin rus te cepi, sepse mami është e zënë.” Ajo nuk i tha djalit: “Shko dhe luaj me lodra kineze.” Të gjithë ishin rreth tavolinës, por jo të gjithë kishin të njëjtën forcë fjale, madje edhe ushqimi mund të mos ketë qenë i njëjtë.
Prandaj Evropa duhet të gjejë momentin të thotë: “Hajdeni të gjithë rreth tavolinës.” Pastaj secili merr atë që meriton. Nëse ende po punon për një kapitull tjetër, atëherë je një nga fëmijët e Ursulës që nuk është rritur ende.”, tha Rama.




