
Në një tentativë për të bërë batutë me procesin e integrimit për në Bashkimin Europian, kryeministri Edi Rama mori si shembull presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen duke thënë se njëjtë si 7 fëmijët e saj, as vendet kandidate nuk duhet të lihen jashtë tryezës së Evropës duke lënë të kuptohet edhe rreziku nga ndikimi rus në rajonin tonë.
Kjo batutë e Ramës shkaktoi të qeshura tek deputetja socialiste Sara Mila.
“Shtatë fëmijë ka Ursula dhe BE ka 7 kandidatë. Fëmijët e Ursulës nuk u rritën në lagje, u rritën rreth tavolinës. Ajo nuk i tha vajzës shko dhe kalo ca kohë me atë gangsterin rus atje tek cepi se tani mami është pak e zënë. Ajo nuk i tha djalit shko e luaj me ca lodra kineze sepse tani tavolinën e përdorin të rriturit. Jo! Të gjithë ishin rreth tavolinës, por patjetër që të gjithë që ishin aty në tavolinë nuk kishin të njëjtën vlerë zëri apo fjale. Madje dhe ushqimi mund të mos ketë qenë i njëjtë apo jo?”- tha Rama mes të tjerash duke argumentuar se vendeve kandidate duhet t’u jepet mundësia që të ulen në të njëjtën tryezë edhe nëse nuk kanë të drejtë vetoje. Versus.al

