TIRANË- Grupi i hakerave iranianë, HomeLand Justice ka publikuar në Telegram një sërë dokumentesh, me mbi 700 numra celularë të cilët pretendon se zotërohen nga Shërbimi Informativ Shtetëror. Grupi iranian ka publikuar faturat mujore nga një kompani celulare, të numrave të ndryshëm celularë, pagesat për të cilët i bën Shërbimi Informativ Shtetëror,
Fakti që janë publikuar faturat, ngre dyshime që hakerët të kenë sulmuar kompaninë telefonike që i lëshon ato. Faturat i përkasin disa muajve të vitit 2020 dhe në të përfshihen vetëm numrat celularë dhe pagesa e bërë, dhe jo emrat e personave që i kanë në përdorim. Këto numra mund të jenë të punonjësve të SHISH, por nuk përjashtohet mundësia edhe të informatorëve.
Publikimi i këtyre të dhënave vjen në një kohë që SHISH është në qendër të diskursit publik pas masës së arrestit ndaj ish-drejtoreshës Vlora Hyseni
Në grupin në Telegram hakerat kanë publikuar edhe disa dokumente të tjerë, përfshirë disa certifikata sigurie për një punonjës të ministrisë së Jashtme, apo dhe një shkresë të vitit 2018 nga një vëzhgues ndërkombëtar i ONM për deklasifikimin e informacioneve të SHISH-it në kuadër të procesit të vettingut. Por ende nuk duhet se ku janë marrë këto dokumente.
HomeLand Justice ka marrë përsipër disa herë sulmet kibernetike ndaj institucioneve shqiptare në periudha të ndryshme.









Komente
Komento