Të dënuar me një vit burg efektiv nga Gjykata e Albertville në Francë, dy të rinj shqiptarë kishin lënë punën e tyre si kamerierë në Shqipëri për të shitur drogë në Francë
Me rastin e një kontrolli të thjeshtë rrugor, më 20 shtator në Moutiers, brigada e motorizuar e xhandarmërisë së Albertville sekuestroi rreth njëqind gramë rrëshirë kanabisi në një automjet të drejtuar nga një person me origjinë shqiptare.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, të marrë me qira përmes platformës Airbnb, efektivët gjetën disa gramë kanabis dhe 3.600 euro në para cash.
Po atë ditë, një shtetas tjetër me origjinë nga i njëjti vend, i cili banonte në të njëjtën banesë, u arrestua me qese të vogla me kokainë dhe disa qindra euro në prerje të vogla.
Ashtu si shumë shitës droge shqiptarë të arrestuar para tyre, dy të rinjtë madhorë, 20 dhe 21 vjeç, Erji Kukag dhe Aurel Hoti, pranuan menjëherë se kishin ardhur në Tarentaise për të shitur lëndë narkotike në emër të një drejtuesi të rrjetit, me bazë në Shqipëri.
Të paguar 200 euro në ditë për “punën” e tyre, e cila duhej të zgjaste vetëm tre muaj, dy personat e nivelit të ulët të rrjetit kishin dhënë dorëheqjen nga puna e tyre si kamerierë në vendin e tyre, ku paguheshin 450 euro në muaj.
“E lashë punën time në Shqipëri sepse, duke fituar shumë më tepër para këtu, do të mund ta ndihmoja më shumë familjen time”, deklaroi thjesht njëri prej tyre gjatë gjykimit të menjëhershëm, të enjten më 24 shtator, përpara Gjykatës Penale të Albertville-s, të kryesuar nga Cédric Mestre.
Duke vlerësuar se të pandehurit kishin rënë pre e tundimit për fitim të shpejtë, pa u shqetësuar për pasojat shëndetësore të veprimtarisë së tyre të paligjshme mbi përdoruesit lokalë të drogës, prokurorja Constance Mellier kërkoi tetë muaj burg për secilin prej dy të akuzuarve.
Të mbrojtur nga avokatet Isabelle Rey dhe Caroline Fouache, këta të fundit u dënuan me një vit burg, shoqëruar me një gjobë prej 1.000 eurosh dhe me ndalim të përhershëm të territorit francez.
© SYRI.net