Më blerës të infiltruar policia zbuloi skemën e shpërndarjes së kokainës në Tiranë, burg për 31 të arrestuarit, zbardhen detajet

28/09/2026 11:32
foto ilustruese

Gjykata e Tiranës la në arrest në burg 31 të arrestuarit, të dyshuar për shpërndarje droge në Tiranë.

Siç bën me dije gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, 14 të tjerë janë ende në kërkim.

Vendimi u dha nga gjyqtari Edvan Vecani. Në seancën me dyer të mbyllura, prokurori i çështjes u shpreh se u përdorën blerës të infiltruar, kryesisht agjentë policie. Droga më së shumti ishte kokainë dhe u konstatua se shitej në çdo zonë të kryeqytetit, si në Allias, Tiranë të Re dhe ish-Park.

Një dozë kokaine prej 0.4 gramësh shitej për 4 mijë lekë të reja, deri në 5 mijë lekë.

Më herët, për këtë çështje ishin arrestuar edhe gjashtë të tjerë, të cilët janë në burg.

Top Channel