
Ambasadorja e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka vënë theksin te zbatimi i reformave, duke theksuar se miratimi i legjislacionit është vetëm një pjesë e procesit të integrimit europian.
Gjatë Konferencës Ndërparlamentare me përfaqësues të institucioneve shqiptare, Parlamentit Europian dhe parlamenteve europiane, ambasadorja tha se Shqipëria ndodhet në një fazë ku kërkohet funksionim i qëndrueshëm dhe i pavarur i institucioneve, si dhe rezultate konkrete në zbatimin e reformave.
Ajo vlerësoi gjithashtu ecurinë e reformës në drejtësi dhe fuqizimin e institucioneve të pavarura gjyqësore, por nënvizoi se progresi i mëtejshëm do të matet përmes zbatimit në praktikë.
“BE ka njohur ecurinë në fusha të ndryshme, reforma në drejtësi ka shndërruar panoramën institucionale të gjyqësorit. Krijimi dhe fuqizimi i institucioneve të pavarura gjyqësore. Sa më pranë ecni me anëtarësimin, aq më impenjativ bëhet procesi. Sepse miratimi i legjislacionit është vetëm pjesë e procesit. Zbatimi është aspekti i pazëvendësueshëm. Pa ta anëtarësimi në BE do të mbetet një synim i largët dhe i vagullt që ndoshta një ditë gjërat do të ndryshojnë. Faza ku gjendet Shqipëria tashmë do të kërkojë që institucionet të funksionojnë në mënyrë të përhershme, të pavarur dhe që reformat të ofrojnë një historik të qëndrueshëm, në sundimin e ligjit, por edhe më gjerë.” (A2 Televizion)