Aktualitet Live From Tirana

Këshilli i Sigurisë Kombëtare mblidhet urgjentisht pas rastit të Vlora Hysenit, Muhamed Veliu jep detajet: Kush do të jetë në krye të SHISH?

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka mbledhur sot në orën 8:30 Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në kushtet e situatës së krijuar pas rastit të ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni. Sipas gazetarit Muhamed Veliu, i cili foli për zhvillimet në një lidhje telefonike për “Live From Tirana”, në këtë mbledhje kanë marrë pjesë kryetari i Kuvendit, kryeministri Edi Rama, disa ministra, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, si dhe përfaqësuesi i ri i Shërbimit Informativ Shtetëror.

Në vend të Vlora Hysenit, aktualisht drejtimin e SHISH-it e mban Elvis Lila, i komanduar nga kryeministri pak kohë më parë. Sipas Veliut, të gjitha pyetjet dhe sqarimet e kërkuara nga pjesëmarrësit e mbledhjes i janë drejtuar kryesisht zotit Lila, ndërsa mbledhja është zhvilluar në kushte të larta sigurie, çka është normale për çështje që lidhen me sigurinë kombëtare.

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama ka dalë me një deklaratë të gjatë për mediat menjëherë pas mbërritjes në aeroportin e Rinasit, ku ka folur për dëmin e shkaktuar nga të dhënat e dala nga dosja hetimore e Vlora Hysenit. Sipas Veliut, nuk ishte fjala për një konferencë shtypi të anuluar, siç është spekuluar, por për një deklaratë të paralajmëruar nga terminali VIP, e cila u zhvillua live menjëherë pas mbërritjes së kryeministrit.

Sipas gazetarit, kryeministri Rama synon që brenda kësaj jave të propozojë një drejtues të ri për SHISH-in, në mënyrë që posti të mos mbetet vakant apo i mbuluar vetëm përkohësisht nga një drejtor i komanduar. Ende nuk dihet nëse zgjedhja do të jetë një person me background politik apo një teknik nga brenda vetë institucionit.

Sipas ligjit, kryeministri është propozuesi i drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, ndërsa dekreti lëshohet nga presidenti i Republikës. Veliu theksoi gjithashtu rolin e këshilltarit të kryeministrit për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, Ilir Gjoni, ish-ambasador i Shqipërisë në NATO, i cili pritet të jetë pjesë e konsultimeve për zgjedhjen e kandidatit të ri. Meqenëse Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, çdo kandidaturë e mundshme për drejtimin e SHISH-it duhet të kalojë edhe nëpër një proces koordinimi dhe aprovimi nga partnerët ndërkombëtarë, siç ka ndodhur edhe në raste të mëparshme.

Veliu theksoi se hetimet për rastin e Vlora Hysenit tashmë i përkasin drejtësisë dhe pritet që çështja të shkojë në gjykatë. Ndërkohë, presidenca pritet të publikojë në faqen e saj zyrtare një përmbledhje të përgjithshme mbi zhvillimet e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, në kufijtë e lejuar nga natyra sensitive e çështjes.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.