Celebrities Gossip Music Showbiz

Nirvana rikthehet në skenë pas 32 vitesh, moment prekës për Kurt Cobain në VMA!

Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes së MTV Video Music Awards 2026 ishte rikthimi së bashku i pjestarëve të grupit legjendar Nirvana, Dave Grohl, Krist Novoselic dhe Pat Smear u ngjitën në skenën e Peacock Theater në Los Angeles për të pranuar një prej vlerësimeve më të rëndësishme të karrierës së grupit siç është Video Vanguard Award. Por ajo që e bëri momentin edhe më emocional dhe prekës ishte kujtimi për këngëtarin legjendar të grupit, Kurt Cobain, i cili u nda nga jeta në vitin 1994 fatkeqësisht në një moshë shumë të re.

Çmimi iu dorëzua grupit nga Chuck D i Public Enemy, ndërsa pas prezantimit u shfaq një retrospektivë e videoklipeve që kanë shënjuar historinë e Nirvana-s, mes tyre “Smells Like Teen Spirit”, “Come as You Are”, “In Bloom” dhe “Heart-Shaped Box”. Në skenë, fjalën e mbajti Krist Novoselic, i cili e përmendi në mënyrë të veçantë Kurt Cobain dhe rolin e tij në krijimtarinë e grupit. “Kurt ishte një nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Kurt ishte i pazëvendësueshëm”, u shpreh Novoselic gjatë fjalimit të tij.

Ai kujtoi gjithashtu se shumë prej ideve vizuale të Nirvana buronin nga vizioni artistik i Cobain, ndërsa theksoi se muzika e grupit vazhdon të jetojë edhe pas më shumë se tri dekadash. “Nirvana vazhdon të rezonojë kaq shumë sepse njerëzit janë ende të etur për autenticitet, për diçka reale, diçka të pakompromisuar”, tha Novoselic. Në fund, ai solli edhe një herë në qendër të vëmendjes Cobain, duke thënë se këngëtari “do ta kishte dashur atë trashëgimi”.

Edhe pse rikthimi i anëtarëve të grupit në skenën e VMAs krijoi pritshmëri për një performancë të Nirvana-s, grupi nuk performoi gjatë ceremonisë. Treshja u shfaq vetëm për të marrë çmimin dhe për të nderuar trashëgiminë e grupit. Ky vlerësim erdhi 34 vite pas paraqitjes së famshme të Nirvana-s në MTV Video Music Awards të vitit 1992, kur grupi performoi “Lithium” dhe krijoi një nga momentet më të komentuar të historisë së ceremonisë.

Edhe pse Nirvana u formua në vitin 1987 dhe historia e grupit mori fund pas vdekjes së Cobain në 1994, ndikimi i tyre vazhdon të ndihet në muzikë edhe sot. Çmimi i vitit 2026 shërbeu kështu si një rikthim simbolik i tre anëtarëve të grupit dhe mbi të gjitha, si një homazh për një prej figurave më të rëndësishme të historisë së rock-ut.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.