Rajoni

Kuvendi i Kosovës mblidhet për një deklaratë rreth aktgjykimit të Speciales!

Kuvendi i ri i Kosovës sot pritet të miratojë një deklaratë lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në seancën e parë plenare e legjislaturës së 11-të, në rend dite është edhe zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe betimi i disa deputetëve të rinj.

Javën e kaluar, PDK-ja i propozoi Kuvendit ndryshimet në projektligjin e atyre që zyrtarisht njihen si Dhomat e Specializuara të Kosovës, pas dënimit me gjithsej 81 vjet burgim për krime lufte të Hashimit Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit.

Projektligji i PDK-së kërkon që juridiksioni i Gjykatës Speciale të kufizohet te veprat penale të përmendura në një raport të vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili trajtonte, ndër të tjera, pretendimet për trafikim organesh pas luftës në Kosovë.

Parashikon edhe ndryshimin e periudhës kohore që mbulon Specialja: nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000, në periudhën nga 1 korriku i vitit 1999 deri në dhjetorin e vitit 2000.

PDK-ja propozon, gjithashtu që ndëshkimi maksimal që do të mund të jepte Gjykata të jetë 15 vjet burg.

Dënimet të ekzekutohen në Kosovë dhe që personat e dënuar të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.

Mbështetje kësaj nisme i ka dhënë Aleanca, teksa Lëvizje Vetëvendosje (LVV) në pushtet tha se do të shqyrtojë fillimisht në aspektin juridik, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ende nuk ka një qëndrim zyrtar për të.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.