
Kosova pëson humbjen e parë në këtë edicion të Ligës së Kombeve. “Dardanët” u mposhtën 3-1 nga Austria në Vjenë, në një ndeshje ku vendasit dominuan sidomos në pjesën e parë.
Kosova pati mundësinë ideale për të kaluar në avantazh që në minutat e para. Vedat Muriqi u shfaq i vetëm përballë portierit, por tentativa e tij përfundoi mbi kuadrat. Austria reagoi menjëherë dhe në minutën e 23-të gjeti golin e avantazhit. “Dardanët” nuk arritën të reagonin dhe në shtesën e pjesës së parë Austria goditi sërish. Junior Adamu realizoi për 2-0, duke i dhënë skuadrës së Ralf Rangnick një avantazh të rëndësishëm në pushim.
Në pjesën e dytë situata u bë edhe më e vështirë për Kosovën. Në minutën e 61-të, Carney Chukëuemeka shënoi golin e tretë për Austrinë dhe praktikisht mbylli ndeshjen.
Kosova provoi të reagonte në fund dhe në minutën e 83-të fitoi një 11-metërsh. Edon Zhegrova mori përsipër ekzekutimin dhe nuk gaboi, duke ngushtuar diferencën në 3-1.
Ky ishte vetëm goli i nderit për Kosovën, që nuk mundi të ndryshonte fatin e takimit. Në fund, Austria mori tri pikët, ndërsa skuadra e Franco Fodës duhet të reagojë në sfidën e radhës ndaj Izraelit, më 1 tetor. Për Kosovën, humbja në Vjenë vjen pas fitores 1-0 ndaj Irlandës në ndeshjen hapëse të grupit. (A2 Televizion)