Kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian, David McAllister, vlerësoi përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE, duke veçuar hapjen e të gjashtë grupkapitujve dhe mbylljen e tre kapitujve. Përmes një videomesazhi drejtuar Konferencës Ndërparlamentare të organizuar në Tiranë, ai theksoi se tashmë vendi duhet të fuqizojë pavarësinë e gjyqësorit dhe të tregojë më shumë rezultate në luftën kundër korrupsionit.
"Shqipëria dhe Mali i Zi kanë bërë shumë progres. Presidenti i Unionit përmendi prosperitetin, pra begatinë, sigurinë dhe demokracinë dhe i vendosi në qendër të programit të BE-së dhe zgjerimi kontribuon në të treja këto elemente, të treja këto shtylla, i afron ekonomitë me njëra-tjetrën, i forcon institucionet demokratike dhe ndihmon që të kemi qëndrueshmëri afatgjatë në kontinentin tonë. Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës e ka përforcuar se sa rëndësi ka zgjerimi i BE-së dhe të lësh Ballkanin Perëndimor në një pasiguri kaq të gjatë, me mbështetje të vogël për reformat dhe në këtë situatë kjo krijon mundësi që edhe palët e treta të zgjerojnë ndikimin e vet negativ aty.
Bashkimi Evropian duhet t'i çojë përpara negociatat. Sa herë përmbushen kushtet, vendet që bëjnë reforma do ta kenë mundësinë që të kenë besim tek BE-ja, që BE ta mbajë angazhimin që ka ndërmarrë. Shqipëria i ka hapur të gjithë grupkapitujt, të gjashtë grupkapitujt e negociatave. Në maj ka kapur ato standardet e ndërmjetme. Në korrik i ka mbyllur tre kapituj në lidhje me shkencën, studimet, edukimin dhe kulturën dhe me marrëdhëniet me jashtë. Këto arritje pasqyrojnë një punë shumë të madhe të bërë nga qeveria, nga deputetët dhe nga shumë prej nesh që janë të angazhuar për ta parë të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. I duhet njohur kjo gjë Shqipërisë, i duhet vlerësuar. Detyra tani është që të fuqizohet pavarësia gjyqësore, të kemi më shumë rezultate ndaj korrupsionit dhe të sigurohemi që institucionet publike t'i shërbejnë mirë qytetarëve të vetë. Ju nxis që këto reforma t'i ndiqni me po atë vendosmëri.
Mali i Zi është vendi që ka ecur mjaft përpara në procesin e anëtarësimit. I ka hapur të tre të 33 kapitujt dhe ka mbyllur përkohësisht 18 prej tyre. Dhe duke e përfunduar ky proces, çohet një sinjal shumë i fortë në Ballkanin Perëndimor, sinjal që tregon që anëtarësia në BE është e arritshme. Axhenda e këtij programi në Tiranë i jep vëmendje shumë të posaçme rolit të kuvendeve, sepse si deputetë ne miratojmë legjislacionin e nevojshëm për anëtarësi. Ne i kërkojmë llogari qeverive dhe sigurohemi që angazhimet të zbatohen. Ne gjithashtu shqetësimet e qytetarëve i bëjmë pjesë të këtij procesi", tha ai.
Lajmi kryesor:
Integrimi, Rama: E dashurojmë Evropën, por mos na lini në baltë! Do të ishte dështim madhor! Ambasadorja e BE: 2030 ambicie impenjative, vijoni punën!









