Mbyllet dita e 120-të e protestës, thirrje: Nesër më shum&eu...
Aktualitet
Tentuan të mashtronin Armand Dukën në emër të Taulant Ballës, në pranga 2 sekserët e Florian Gjergjit, u kapën duke marrë 100 mijë euro
Ata e kanë kontaktuar përmes një profili në rrjetet sociale duke u prezantuar si kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.
28 Shtator 2026, 11:43Nga I.A
Armand Duka
TIRANË- Dy të rinj, Edison Korra, 24 vjeç dhe Orest Balla, 23 vjeç, janë arrestuar në Tiranë pasi kanë tentuar të mashtrojnë kreun e FHSF-së Armand Duka për t’i marrë 100 mijë euro. Ata e kanë kontaktuar përmes një profili në rrjetet sociale duke u prezantuar si kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.
Dy të rinjtë u kapën në flagrancë në momentin kur po merrnin shumën prej 100 mijë eurosh nga Duka. Sipas burimeve, dyshohet se pas kësaj ngjarjeje fshihet Florian Gjergji, emri i të cilit është lakuar në episode të ndryshme mashtrimi.
Njoftimi i plotë:
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Seen”. Goditet një tjetër tentativë për të përfituar shuma të mëdha parash, nëpërmjet mashtrimit në platforma komunikimi online. Mashtruan një 64-vjeçar, nëpërmjet një profili të rremë me kredencialet e një të njohuri të tij, për t’i marrë 100 000 euro, arrestohen në flagrancë, kur po merrnin paratë, 2 shtetas.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Operacionale”, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një 64-vjeçari, mbi dyshime për mashtrim në platformë komunikimi online, finalizuan operacionin e koduar “Seen”, gjatë të cilit u kapën në flagrancë, kur po i merrnin 100 000 euro kallëzuesit, dhe u vunë në pranga shtetasit E. K., 24 vjeç dhe O. B., 23 vjeç.
Nga hetimet e kryera me metoda speciale, me qëllim zbardhjen e plotë të autorësisë dhe rrethanave të këtij rasti, dyshohet se këta shtetas kanë komunikuar me 64-vjeçarin, nëpërmjet një profili të rremë në një rrjet social. Profili ishte aktivizuar me të dhënat e një të njohuri të 64-vjeçarit, me qëllim mashtrimin e tij. Hetimet vijojnë me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Florian Gjergji, prej kohësh në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet, dyshohet se gjithë aktivitetin e bënë nga distanca. Skema klasike e Gjergjit është përdorimi i identiteteve të personazheve publikë, kryesisht figura të politikës, për t’i kërkuar para palëve të treta. Përveç rasteve të fundit, ai ka përdorur emrin e Tonin Marinajt, Taulant Ballës dhe Erion Veliajt./Dosja.al