Avokatët bënë fakt këtë të hënë paralajmërimin për të bojkotuar edhe seancat për masat e sigurisë në Gjykatën e Posaçme, në shenjë kundërshtimi ndaj rregullores që kufizon punën e tyre dhe të gazetarëve, duke mos lejuar përdorimin e celularëve në sallë. Këtë të hënë nuk pati seanca për masa sigurie në GJKKO, ndërsa vijoi edhe bojkoti i proceseve gjyqësore, deri në pezullimin e rregullores.
Përshkallëzimi i bojkotit detyroi edhe gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme të mblidhen për të diskutuar se si do të veprohet me rregulloren e re. Por mbledhja e zhvilluar këtë të hënë me kërkesë të kryetarit të GJKKO-së, Erjon Bani, nxori në pah përçarjen mes vetë gjyqtarëve të posaçëm.
Një pjesë e trupës gjyqësore kërkoi që situata të zgjidhet përmes dialogut me Dhomën Kombëtare të Avokatisë, ndërsa gjyqtarë të tjerë mbajtën qëndrimin se duhen ashpërsuar masat ndaj avokatëve që refuzojnë të marrin pjesë në seanca. Deri më tani avokatët janë gjobitur me nga 50 mijë lekë të rinj.
Mbledhja përfundoi pa një qëndrim të përbashkët dhe, për momentin, nuk ka një vendim se si do të procedojë GJKKO me rregulloren që hyri në fuqi më 1 shtator dhe që ka sjellë përplasjen me avokatët, por edhe me gazetarët.
Pasojat e bojkotit u reflektuan edhe këtë të hënë në proceset gjyqësore. U shty seanca e radhës për dosjen e aferës “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe persona të tjerë. Shkak u bë mungesa e avokatëve, të cilët nuk u paraqitën në seancë në zbatim të vendimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Lajmi në përditësim...









Komente
Komento