Aleksandar Vuçiç, i cili dha dorëheqjen nga posti i Presidentit të Serbisë të dielën në mbrëmje, i ka dorëzuar sot zyrtarisht detyrën kryetares së Asamblesë Kombëtare, Ana Brnabiç.
Brnabiç do të ushtrojë funksionet e Presidentes së Përkohshme të Republikës deri në zgjedhjen e një presidenti të ri.
Ceremonia e dorëzimit u zhvillua në Presidencën e Serbisë, në Andriçev Venac, ku u nënshkrua procesverbali dhe u dorëzuan dokumentacioni zyrtar, raportet, të dhënat për dhuratat dhe vula e Presidentit të Republikës.
Gjatë ceremonisë, Vuçiç i prezantoi Brnabiçit dokumentacionin që mbetet në zyrën e Presidentes së Përkohshme, përfshirë raportet nga Zyra e Urdhrave, dekretet për dekorimet, çështjet nga Shërbimi i Faljes, të dhënat për dhuratat, si dhe dokumentacionin e lënë nga paraardhësit e tij, Boris Tadiç dhe Tomislav Nikoliç.
“Kjo është gjëja më e rëndësishme për ty, kjo është vula jote”, tha Vuçiç, teksa i dorëzoi Brnabiçit vulën zyrtare.
Vuçiç lexon procesverbalin e dorëzimit
Duke iu drejtuar gazetarëve të pranishëm, Vuçiç lexoi një pjesë të procesverbalit të dorëzimit të detyrës.
“Ky procesverbal shënon dorëzimin e detyrave midis Aleksandar Vuçiçit, Presidentit të Republikës, i cili jep dorëheqjen, dhe Ana Brnabiçit, kryetares së Asamblesë Kombëtare, e cila merr detyrën e Presidentes së Përkohshme të Republikës”, deklaroi ai.
Sipas Vuçiçit, në kuadër të dorëzimit të detyrës u dorëzuan gjithashtu një raport financiar, një raport pune, një raport mbi çështjet në shqyrtim, si dhe dokumentacion lidhur me mosmarrëveshjet gjyqësore dhe procedurat e ekzekutimit.
Pas falënderimit të Brnabiçit, Vuçiç bëri edhe një koment me tone humori për mënyrën se si ajo e pranoi detyrën e re.
“Shikoni sa lehtë e pranon pozicionin”, tha ai, duke kujtuar gjithashtu se Brnabiç feston sot ditëlindjen.












