AKTUALITET, 28 September 2026, 11:55

VIDEO/ Mashtruan 64-vjeçarin në Tiranë me kredencialet e një të njohuri të tij, kapen në flagrancë 2 autorët, po merrnin 100 000 euro

Dy të rinj janë arrestuar në flagrancë teksa po merrnin shumën prej 100 mijë eurosh nga një 64-vjeçar, të cilin dyshohet se e kishin mashtruar përmes një profili të rremë në rrjetet sociale.

Në kuadër të operacionit të koduar “Seen”, u vunë në pranga E.Korra, 24 vjeç dhe O.Balla, 23 vjeç.

Sipas policise, dy të arrestuarit dyshohet se kanë komunikuar me 64-vjeçarin përmes një profili të rremë, të krijuar me të dhënat e një personi që ai e njihte.

Përmes këtij profili, ata dyshohet se e kanë bindur 64-vjeçarin që t’u dorëzonte shumën prej 100 mijë eurosh.

Njoftimi i policise:

Goditet një tjetër tentativë për të përfituar shuma të mëdha parash, nëpërmjet mashtrimit në platforma komunikimi online.

Mashtruan një 64-vjeçar, nëpërmjet një profili të rremë me kredencialet e një të njohuri të tij, për t’i marrë 100 000 euro, arrestohen në flagrancë, kur po merrnin paratë, 2 shtetas.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Operacionale”, si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një 64-vjeçari, mbi dyshime për mashtrim në platformë komunikimi online, finalizuan operacionin e koduar “Seen”, gjatë të cilit u kapën në flagrancë, kur po i merrnin 100 000 euro kallëzuesit, dhe u vunë në pranga shtetasit E.Korra  24 vjeç dhe O.Balla 23 vjeç.

Nga hetimet e kryera me metoda speciale, me qëllim zbardhjen e plotë të autorësisë dhe rrethanave të këtij rasti, dyshohet se këta shtetas kanë komunikuar me 64-vjeçarin, nëpërmjet një profili të rremë në një rrjet social.

Profili ishte aktivizuar me të dhënat e një të njohuri të 64-vjeçarit, me qëllim mashtrimin e tij.

Hetimet vijojnë me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.